“Stupcat” ia dhanë grushtin e fundit mitit për UÇK-në

21:28 | 5 Janar 2016
M. A.

Shkëlzen Gashi i ftuar në emisionin Rubikon ka thënë se është mitizuar organizimi politik i UÇk-së dhe se ky mitizim më së shumti shihet në pavarësinë e veprimeve të dy zonave operative të Uck-së: Të Llapit dhe të Dukagjinit. Ai pasi theksoi se në fakt në Kosovë nuk ka humor të mirëfilltë, pasi sipas tij, humori në Kosovë vazhdimisht i ka fyer grupet e margjinalizuara e jo majat.

“Ka kaluar kohë bukur e gjatë, dekonstruktimi i mitit të UÇK-së. Nuk është hera e parë, por skeçi ia ka dhënë grushtin e fundit”, ka thënë Gashi.

Ai shtoi se, “duhet të studiohet shtypi për UÇK-në, para dhe pas luftës. Mbetet enigmë vrasja e njerëzve. Duke filluar prej dhjetorit 1996, vrasjes më enigmatike, e Mehë Ukës në vitin 1996, më 97-ën vrasja e Zahir Pajazitit, në tetor të këtij viti vrasja e Adrian Krasniqit, ushtari i parë i vrarë me uniformë, vrasjet e vitit 1998, sikurse që është Adem Jashari, në maj Ilir Konushevci, Bahri Fazliut dhe Agron Rrahmani”.

“Duhet me prit edhe shumë vite për me i pa dokumentet, kemi me mujt me studiuar më mirë. Serbia ka qenë shumë thellë e futur brenda në Kosovë”.

Ndërsa i ftuar ishte edhe gazetari Vehbi Kajtazi i cili ka përmendur fushatën linçuese dhe kërcënuese ndaj aktorëve të “Stupcave” për një vepër që e konsiderojnë artistike.

“Është e drejtë e tyre që të portretizojnë. Nuk ka diçka të ndaluar me ligj. Ata janë artistë dhe mund të bëjnë humor me këtë”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, artistët kanë të drejtë të flasin për pasurimin e paligjshëm të ushtarëve të UÇK-së dhe me këtë rast Kajtazi ka përmendur pasurimin e disa politikanëve të njohur në Kosovë.

“Se a kanë të drejt kur flasin për pasurimin, atëherë nuk do të isha pajtuar me ta sikur Rrystem Mustafa të na tregonte se si i ka bërë 5 milionë euro pasuri. Sikur Fatmir Limaj të kishte treguar se kah i ka marrë 1 milion euro për të paguar avokatët e tij dhe 900 mijë euro që i ka deklaruar si pasuri së fundmi. Sikur Ramush Haradinaj të tregonte se si e ka ndërtuar shtëpinë në Dragodan, si e bleu shtëpinë në Marigona Residence, apo si i ndërtoi kullat në Gllogjan”, ka shtuar Kajtazi.

“Ka shumë të tillë që janë pasuruar në mënyrë të njëjtë dhe të dyshimtë dhe pa një vijë të qartë të prejardhjes së pasurisë së tyre. Ndërlidhja bëhet me luftën”.

Ai ka përmendur edhe disa vrasje të pasqaruara gjatë luftës, ndër të cilat përkujtoi Behajdin Hallaqin, i cili thuhet të jetë vrarë pas ndarjes nga Hashim Thaçi në një fshat të Rahovecit.

“Për me ju dhanë të drejtë atyre të cilët vrasin njeriun që lufton atëherë duhet të dihen disa rrethana të vrasjes së njerëzve të UÇK-së. Behajdin Hallaqin, duhet të dihen rrethanat se si u vra ai. Këtu në këtë studio Liburn Aliu i ka bërë thirrje Hashim Thaçit që të tregojë se si u vra ai kur dihet që së bashku kanë qenë duke udhëtuar së bashku”.

“Ka dyshime se në këtë vrasje të jetë i implikuar Hashim Thaçi. Gjithashtu vrasja e pasqaruar e Ilir Konushevcit në territorin e Shqipërisë”.

Shpërndaje në rrjete sociale