Statuti i komunave serbe me pak gjasa që të formohet brenda këtij viti

15:01 | 2 Tetor 2015
M. A.

Institucionet e Kosovës ka gjasa që të dështojnë në përpilimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, brenda periudhës kohore të paraparë me marrëveshjen e 25 gushtit në Bruksel.

Sipas kësaj marrëveshje, statuti duhet të përpilohet 4 muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi parimet për Asociacionin, por zyrtarë të institucioneve të Kosovës, nuk janë shumë optimistë se një gjë e tillë mund të ndodhë deri në fund të dhjetorit.

Bajram Gecaj, zëvendësministër në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) ka thënë për lajmi.net se do të jetë shumë e vështirë që statuti të formohet ashtu siç e parasheh marrëveshja e Brukselit.

Gecaj ka bërë të ditur se janë duke punuar në lëndën për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, vetëm pas marrjes së vendimit nga ky institucion, do nisin në hartimin e statutit.

“Në marrëveshje është e paraparë që statuti Asociacionit të Komunave Serbe të përpilohet në afatin prej 4 muajsh nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes së 25 gushtit”.

“Ne do të tentojmë që ta bëjmë në kuadër të kësaj kornize kohore, megjithatë do të jetë bukur e vështirë, për shkak se ne ende nuk e kemi dërguar dekretin në Gjykatën Kushtetuese, edhe pse jemi duke punuar në atë drejtim. Dhe pasi të marrim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne do të vazhdojmë të përpilimin e këtij statuti. Do të dëshironim që ta përfundonim në kohë, por është bukur vështirë”, është shprehur Gecaj, për lajmi.net.

Sipas tij, edhe nëse statuti për Asociacionin nuk formohet brenda 4 muajve, kjo gjë nuk mund të ketë ndonjë pasojë pasi, siç ka bërë të ditur, në shumë raste, marrëveshjet nuk janë respektuar afatet kohore.

Ndërkohë, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kohë më parë, ka deklaruar për media se afati i fundit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe duhet të jetë 25 dhjetori i këtij viti.

Ai më këtë ka lënë të kuptohet se Beogradi, në rast të mos përmbajtjes së afateve për zbatimin e kësaj marrëveshje, nuk do të rrijë duar kryq dhe do ta iniciojnë këtë çështje në Bruksel, tek ndërmjetësuesit e dialogut.

 

Shpërndaje në rrjete sociale