“Këshilli Ekzekutiv i rekomandon Konferencës së Përgjithshme (e cila do të mblidhet në nëntor), që ta pranojë Kosovën si anëtare të UNESCO-s”, thuhet në dokumentin i cili do të shqyrtohet gjatë sesionit të 197, që do të mbahet prej 7 deri më 22 tetor në Paris.
Sesioni nis sot, me mbledhjen e Byrosë Ekzekutive, kurse vendimi për temat përfundimtare për shqyrtim pritet të merret në seancën e parë plenare më 12 tetor, transmeton gazeta “Blic” e Beogradit.
Kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO është pika e 43-të e rendit preliminar të ditës. Kërkesën zyrtarisht e ka paraqitur Shqipëria, kurse e kanë mbështetur 45 vende. Në arsyetimin e dokumentit të përgatitur thuhet se në emër të Kosovës kërkesën për pranim në UNESCO e ka paraqitur shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në letrën drejtuar drejtorit të përgjithshëm më 4 gusht. Po ashtu, thuhet se “shtetet të cilat nuk janë anëtare të OKB-së mund të pranohen si anëtare të UNESCO-s, me propozim të Këshillit Ekzekutiv, dy të tretën e shumicës së votave në Konferencën e Përgjithshme”.
Në propozim të dokumentit thuhet se Këshilli Ekzekutiv paraqet propozimin që Konferenca e Përgjithshme ta pranojë Kosovën si anëtare, duke pasur parasysh se “Kosova e pranon Kushtetutën e kësaj organizate dhe se është e gatshme t’i përmbushë obligimet që dalin nga anëtarësimi dhe të marrë pjesë në shpenzime”.
Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s mbahet nga 3 deri më 18 nëntor, e këtë organ e përbëjnë 195 vende anëtare, kurse mblidhet çdo dy vjet. Secili shtet anëtar e ka një votë.
Kërkesën e Shqipërisë për pranimin e Kosovës në UNESCO e kanë mbështetur ShBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Austria, Sllovenia, Irlanda, Holanda, Luksemburgu, Danimarka, Finlanda, Suedia, Turqia, si dhe Estonia, Letonia dhe Lituania. Kërkesën e kanë mbështetur edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari dhe Kuvajti.