Skëndërbeu shkruan historinë, kualifikohet zyrtarisht për në Europa League

23:16 | 5 Gusht 2015
M. A.

Skuadra e Skëndërbeut ka shkruar historinë në futbollin shqiptar, pasi është skuadra e parë e cila kualifikohet zyrtarisht për në Europa League.

“Ujqërit e dëborës” kanë dhënë një lojë fantastike në “Elbasan Arena”, duke mposhtur 2-0 Milsamin në ndeshjen e kthimit.

Pjesa e parë e takimit ka nisur e vrullshme dhe me raste për të dyja ekipet.

Korçarët e nisin vrullshëm dhe hidhen menjëherë në sulm. Berisha kroson nga e majta për Salihin, ky i fundit godet me kokë, por topi përfundon jashtë, shkruan albeu.com.

Në minutën e 14-të Andronic shkakton një ndërhyrje mjaft të ashpër ndaj Eskardinjës dhe arbitri nuk ka hezituar duke e ndëshkuar me karton të kuq. Milsami me 10 lojtarë.

Menjëherë pas këtij episodi vjen edhe goli për korçarët.

Berisha hedh një top në zonë nga e majta, Nimaga tenton me një gjuajtje me të majtën por grushton portieri mik, aty pranë ndoshet si gjithmonë Hamdi Salihi i cili nuk mund të gabojë dhe godet në mënyrë perfekte me kokë duke kaluar korçarët në avantazh.

Pas golit të shënuar korçarët kthehen mbrapa dhe duan të administrojnë rezultatin. Duke e bërë këtë ata i lenë disa hapësira kundërshtarit duke i krijuar mundësinë të kërcënojë. Në minutën e 44-ët një gabim trashanik i Kristi Vangjelit i jep mundësinë Belakut të dalë i vetëm përballë Shehit, portieri i korçarëve detyrohet të bëjë një super pritje duke e shpëtuar portën nga një gol i sigurt. Pjesa e parë mbyllet 1-0

Pjesa e dytë nis po e mirë për Skëndërbeun, ku Proganis hënon edhe golin e dytë të takimit në minutën e 55-të të takimit.

Skëndërbeu ka fituar kështu me rezultatin e përgjithshëm 4-0 përballë Milsamit, duke siguruar një kualifikim plotësisht të merituar.

Shpërndaje në rrjete sociale