Google ADS

Skandaloze, dezinfektimi i shkollave me “Domestos” që mund të ngulfat nxënësit

11:21 | 11 Mars 2020
Arbresh.info

Pavarësisht deklarimeve për përgatitje të nevojshme të Ministrisë së Arsimit për dezinfektim të shkollave dhe krijim të një ambienti të pastër, kjo gjë duket se është keqkuptuar.

Ende pa hyrë, në shkollën fillore “Meto Bajraktari” ngulfatesh nga era e “Domestosi”.

Çfarë e bënë më skandaloze, është pastrimi në kohën  kur fëmijët janë të pranishëm në bankat shkollore dhe qarkullimi i tyre është i vazhdueshëm.

Disa nxënës i kanë konfirmuar arbresh.info se dezinfektuesit për duar i kanë blerë personalisht, derisa ekipi i arbresh.info nuk ka vërejtur ndonjë aparat për dezinfektim të duarve në ndonjë hapësirë të korridorit.

“Jo, i kemi tonat”, është shprehur një nxënës kur është pyetur se ku janë të vendosur aparatet për dezinfektim të duarve, meqë ministrja, Hykmete Bajrami, tha se janë marrë të gjitha masat për dezinfektim dhe kontrollë të hapësirave shkollore.

Sipas Bajramit shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë, kanë filluar t’i marrin masat e duhura për parandalimin e virusit Covid-19, i cili është përhapur në të gjithë botën.

Zëvendësdrejtori i shkollës “Meto Bajraktari”, Nijazi Ukshini, prapa kamerës së arbresh.info tha se janë pajisur me dezinfektues, dhe se po e pastrojnë shkollën çdo ditë.

Veç kësaj Ukshini, tha se shkollën e kanë vizituar edhe punëtorët shëndetësorë, ku kanë bërë vizita mjekësore dhe ligjërata për mbrojtje nga ky virus.

Vëmendje të veçantë ai tha se po u kushtohet edhe mungesave të nxënësve dhe arsyet se pse mungojnë.

Po ashtu, ai thotë se brenda shkollës “Meto Bajraktari” ka pasur nxënës vetëm me simptoma të lehta të gripit.

Në Kosovë ende nuk ka ndonjë rast pozitiv me Koronavirus.

Ministria e Arsimit dje vendosi që mësimi të vazhdojë me rregull, deri në ndonjë vendim tjetër./arbresh.info/

 

https://www.facebook.com/841111159287311/videos/937106036692097

Shpërndaje në rrjete sociale