Google ADS

Skandaloze/ 43 vjet nga themelimi i Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” e Maqedonisë së Veriut, asnjë pjesëtarë shqiptarë

12:51 | 20 Maj 2024
L G

43 vjet pas themelimit, Njësiti Special Anti-terrorist i policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”, vazhdon të mbetet pa asnjë polic shqiptar.

Partitë shqiptare në pushtet heshtin për këtë fakt.

Ani pse BDI e Ali Ahmetit ishte në pushtet, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve në këtë njësit shumë të rëndësishëm për shtetin maqedonas.

                                Njësiti Special Anti-terrorist i policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”

Ndërsa funksionarët thonë se deri më tani asnjë kandidat nuk ka kaluar të gjitha nivelet e testeve fizike.

Arbresh.info ka dërguar pyetje në adresën e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me këtë çështje mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e tekstit.

Pyetje janë dërguar edhe në ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut lidhur me atë nëse janë parashtruar ndonjë ankesë lidhur me këtë çështje mirëpo as ata nuk janë përgjigjur.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski kishte folur lidhur me këtë çështje, ku kishte deklaruar se nuk bëhet fjalë për diskriminim etnik, por në këtë njësit pranohen vetëm ata që plotësojnë kriteret.

                        Njësiti Special Anti-terrorist i policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”

Madje, ai kishte deklaruar se në konkursin e fundit ishte paraqitur një shqiptar, por nuk kishte kaluar testin, pasi nuk dinte not.

Në 42 vjetorin e themelimit, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski gjatë ceremonisë së këtij përvjetori, shprehi mirënjohje publike për aktivitetet operative që realizon ky njësit, si dhe numëroi avancimet e kushteve të punës që u kanë bërë, megjithatë, ai nuk përmendi aspak çështjen e përfaqësimit jo të drejtë etnik.

As kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij nuk përmendi çështjen e përfaqësimit etnik në këtë njësit.

Shala: Ka pasur hile, edhe paragjykime mbi baza të origjinës kombëtare

                                                          Drizan Shala-njohës i çështjeve të sigurisë

Njohësi i çështjes së sigurisë, Drizan Shala vlerëson se ka pasur hile dhe paragjykime ndaj shqiptarëve sa i përket anëtarësimit të tyre në këtë njësit special të policisë maqedonase.

Për Arbresh.info, Shala thotë në bazë të vlerësimeve mund të konstatohet se ka pasur paragjykime ndaj shqiptarëve, mbi baza të origjinës kombëtare.

Problemin, Shala e sheh edhe të nëpunësit shqiptar duke thënë që nuk kanë qenë të motivuar për inkuadrim në këtë njësi.

“Është një realitet se në Njësinë Speciale për detyra të posaçme nuk ka të inkuadruar shqiptarë. Në bazë vlerësimet, mund të konstatojmë se ka pasur edhe hile, ka pasur edhe paragjykime mbi baza të origjinës kombëtare, por ka pasur edhe neglizhencë dhe mos pasje të motivit edhe të nëpunësve shqiptarë që të inkuadrohen në këtë njësi”, shprehet Shala.

Ai, pohon se duhet të ketë nxitje të shqiptarëve për tu bërë pjesë e kësaj strukture të posaçme të sigurisë në Maqedoninë e Veriut.

            Njësiti Special Anti-terrorist i policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”

“Dhe kjo do të duhej të ndryshojë në formatin se siç ishte deri me tani, por që duhet të kemi edhe një program të veçantë në formën e nxitjes se pjesëmarrjen e shqiptareve në këtë strukturë te posaçme të sigurisë”, thekson Shala.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala është optimistë se qeveria e re do ta ndryshojë një herë e përgjithmonë këtë

“Po shpresojmë që qeveria e re nuk do të bej një hendek me të madh në mesin e përcaktimit të strukturave të posaçme të sigurisë në MKD të Veriut, siç ishte deri me tani si praktik edhe ne kundërshtim më ligjet e saja të aplikuara në sistemin e tyre kushtetues”, shprehet Shala.

   Njësiti Special Anti-terrorist i policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”

Ndryshe, qytetarët e Maqedonisë së Veriut i dhanë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare, që u mbajtën më 8 maj të këtij viti.

VMRO DPMNE-ja, deri tash në opozitë, u shpall fituese si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, kandidatja për presidente, Gordana Silanovska Davkova, fitoi mbi 65 për qind të votave, kundrejt presidentit të deritanishëm, Stevo Pendarovski, i cili mori rreth 30 për qind të votave.

                      Mbështetës të VMRO DPMNE-së festojnë në Shkup, 8 maj 2024

VMRO DPMNE-ja shënoi fitore të thellë edhe në zgjedhjet parlamentare, me mbi 43 për qind të votave, apo 59 mandate nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Me këto rezultate, LSDM-ja përjetoi disfatën më të thellë që nga formimi i saj në vitin 1990.

Ajo do t’i ketë 19 ulëse në Parlament, apo vetëm një më shumë se Fronti Evropian që kryesohet nga partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili mori 18 mandate.

Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM.

Zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë tani pritet të jetë sfida kryesore e Qeverisë së re, që do të formohet nga VMRO DPMNE-ja.

Kreu i kësaj partie, Hristijan Mickoski, në paraqitjen e parë para mediave pas shpalljes së rezultateve preliminare të KSHZ-së, u përqendrua në rezultatin e arritur dhe formimin e shpejtë të Qeverisë së re.

Mickoski, paralajmëroi formimin e Qeverisë së re me koalicionin e opozitës shqiptare, VLEN, pavarësisht se zgjedhjet në mesin e shqiptarëve i fitoi Fronti Evropian, i kryesuar nga BDI-ja.

“Koha është që BDI-ja, së bashku me LSDM-në, të kalojnë në opozitë. Populli ia dha leksionin më të rëndësishëm Qeverisë [së deritashme] dhe shpëtoi vendin e tij”, tha Mickoski.

Opozita shqiptare u deklarua, po ashtu, për një qeverisje me VMRO DPMNE-në. /Arbresh.info/Erolinda Gashi/