Sindikatat e Hekurudhave hyjnë në grevë dyditore, ndalohet qarkullimi i trenave në Kosovë

08:53 | 12 Qershor 2025
E.K

Sindikatat e Hekurudhave të Kosovës kanë hyrë sot në grevë dyditore, pas dështimit të dialogut me punëdhënësin për rritjen e pagave, të cilat, sipas tyre, nuk janë ndryshuar për më shumë se 15 vjet.

Në njoftimin për media, sindikata thekson se greva është masë e fundit dhe synon të ushtrojë presion mbi autoritetet për të përmbushur kërkesat e kahershme të punonjësve.

Sipas sindikatës, qarkullimi i trenave do të rifillojë të shtunën dhe të dielën, më 14 dhe 15 qershor, me përjashtim të linjës Prishtinë–Pejë, e cila do të vazhdojë të operojë edhe gjatë ditëve të grevës.

Më 12 dhe 13 qershor 2025, nuk do të qarkullojë asnjë tren në territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim./Arbresh.info