Tre persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve në aksidente rrugore. Me ndryshimin e motit dhe arritjen e të reshurave të shumta në Kosovë ka edhe rritje të numrit të aksidenteve.
Ndërsa humbja e jetës nga këto aksidente është mëse shqetësuese. Në një prononcim për Indeksonline, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës është theksuar se, policia me njësitet e saj në vazhdimësi ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore.
“Në të gjitha akset rrugore policia do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme për respektimin e normave ligjore që kërkohen, duke përfshirë shpejtësinë e lejuar dhe përshtatjen e ngasjes së automjeteve me kushtet e rrugës dhe kushteve atmosferike”, thuhet nga zyra për informim.
Ndërsa sipas policisë “me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, Policia e Kosovës ne vazhdimësi ka apeluar tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të ju përshtaten kushteve të rrugës, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”.
Sipas statistikave, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar vërehet rënie e aksidenteve me pasoja fatale, e që tregojnë rezultate pozitive.
Ndërsa Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit rrugor në një prononcim për Indeksonline ka thënë se në secilin aksident duhet të hulumtohen faktorët të cilët e kanë shkaktuar dhe pastaj të jepet përgjigja në secilin aksident si është shkaktuar dhe përse ka aq të vdekur.
Gjithashtu sipas Dedaj, stina e vjeshtës dhe të reshurat atmosferike me zvogëlim të dukshmërisë, mund të jenë një prej elementeve që më së shumti shkaktojnë aksidente në këto ditë.
“Drejtuesit e automjeteve nuk kanë njohuri mbi zvogëlimin e koeficientit në mes të gomës së automjetit dhe sipërfaqes së rrugës si dhe dukshmërinë e zvogëluar e sidomos tek vozitësit e rinj që nuk i përshtaten shpejtësisë. Nëse ata nuk i përshtaten rrugës dhe elementit të shpejtësisë sigurisht se do të ketë fatalitete në aksidente të komunikacionit”, ka shtuar Dedaj.
Po ashtu është theksuar se për të ulur numrin e aksidenteve është e domosdoshme që së paku reklamat televizive dhe metodave të ndryshme reklamuese të informohen drejtuesit e automjeteve mbi elementet e faktorëve që shkaktojnë aksidente gjatë secilit muaj të vitit.
Ligjet e reja siç është ligji për patentë shofer dhe ligji për rregullat e qarkullimit, sipas ekspertit të komunikacionit, veç se është shumë më i mangët me elemente teknike dhe më keq teknike të përkufizuara juridikisht, për arsye se është marr model i Republikës së Maqedonisë të cilët as vetë ata nuk janë të kënaqur me formën e përkufizimit ligjor të sigurisë së komunikacionit rrugor.
“Qeveria duhet ti kthehet ligjit të sigurisë së komunikacionit rrugor dhe i njëjti të ndryshohet në bazë të dhënave të cilat vijnë nga operativa dhe të plotësohet me udhëzime administrative përkatëse në mënyrë që siguria rrugore të jetë në nivelin evropian”, ka shtuar Dedaj.
Kurse Dedaj ka përfunduar duke theksuar se statistikat e vdekjes në Kosovë të cilat arrijnë numrin e afro 130 personave, tregojnë se në vend prijnë fatalitetet, e organet e vendit duhet të merren me preventiva të aksidentit, sepse janë “në gjumë të thellë”.
Tri gra në kryesinë e re të Kuvendit të Kosovës
Presidenti shqiptar uron Albulena Haxhiun për zgjedhjen si k...
Presidentes i dorëzohet emri i Albin Kurtit si mandatar për ...
Abdixhiku pas konstituimit të Kuvendit: LDK do të jetë zë i ...
Kuvendi u konstitua – Çfarë pritet tash?
Osmani uron Haxhiun për detyrën, kërkon bashkëpunim ndërinst...