Shtesat e gjyqtarëve në pikëpyetje

15:36 | 17 Mars 2017
Gita

Gjyqtarët e departamentit të krimeve të rënda, por edhe ata të departamenteve të tjera kanë mbetur pa shtesa.

Edhe pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës që nga janari i këtij viti i ka bërë një kërkesë Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e shtesave mujore prej 300 euro për gjyqtarët e departamentit të krimeve të rënda, dhe shtesat për gjyqtarët e departamenteve të tjera, por deri tash nuk ka asnjë përgjigje.

Kryesuesi i  Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi i ka thënë për “Arbresh.info”  se kërkesa për shtesat është bërë në janar, por qeveria ende nuk i ka njoftuar zyrtarisht asgjë rreth kësaj kërkese.

“Kërkesa ka shkuar me dy paragrafe, në një t’i vazhdohet departamentit të krimeve të rënda, dhe një tjetër për shtesat për gjyqtarët e departamente tjera. Kam informacione nuk do të ketë asgjë, sepse pritet që ligji për pagat me hy në fuqi dhe deri atëherë presim si do të shkoj kjo çështje”, ka thënë Idrizi.

Arbresh.info ka tentuar të marrë një përgjigje nga Qeveria e Kosovës, duke pritur kështu një javë për një përgjigje, rreth kërkesës së KGJK-së, por zyrtarë të këtij institucioni nuk kanë dhënë asnjë përgjigje të vetme.

Ndërsa, zyrtarë të Ministrisë së Financave thonë se nuk janë në dijeni për një kërkesë të tillë.

Zëdhënësi i ministrisë së Financave, Muharrem Shahini thotë se kjo ministri nuk ka marrë ndonjë kërkesë rreth nga KGJK.

Të pyetur nëse kjo ministri ka buxhet për kërkesën e KGJK për shtesa, Shahini ka thënë se tek departamenti për financa të kësaj ministrie nuk ka arritur  ndonjë kërkesë e tillë.

“Deri më sot, Departamenti i Buxhetit nuk ka pranuar kërkesë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës lidhur me vazhdimin e shtesave të gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda,  dhe gjyqtarëve në departamentet civile”, është shprehur Shahini.

Këshilli Gjyqësor nuk është i vetmi që ka kërkuar shtesa, një gjë të tillë po në janar të këtij viti e ka bërë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që t’i paguaj me nga 300 euro në muaj gjyqtarët e departamentit të krimeve të rënda ka skaduar në fund të vitit 2016./ Arbresh.info/ G. Lushi

Shpërndaje në rrjete sociale