ShSKUK konfirmon mungesën e përkohshme të albuminës, penalizohen operatorët për vonesat në furnizim

18:42 | 6 Gusht 2025
E.H

Në lidhje me raportimet dhe shqetësimet e ngritura për furnizimin me barna dhe material shpenzues, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) njofton opinionin publik se furnizimi me antibiotikë në institucionet shëndetësore ka qenë i vazhdueshëm.

Në njoftimin e ShSKUK-së thuhet se në rastet kur ka munguar një formë e caktuar farmaceutike, janë siguruar alternativa të barasvlershme, duke garantuar trajtim të pandërprerë dhe në përputhje me standardet mjekësore për të gjithë pacientët, transmeton Arbresh.info.

“Ndërsa, mungesa e përkohshme e albuminës, është e vërtetë se gjatë një periudhe të shkurtër ka pasur vonesa në furnizimin me albuminë, për shkak të mosrespektimit të afateve të liferimit nga operatori ekonomik. Për cka operatori ekonomik, Redoni HM është penalizuar për këto vonesa. Si dhe produktet, Imipenem dhe Meropenem kanë qenë produkte që kanë pas vonesa në liferim, por, për këtë është penalizuar Operatori Ekonomik Radix Pharm. Poashtu për medicinal kontrast jo-jonik është penalizuar edhe operatori ekonomik Liri Med, për mosrespektim të kontratës”, thuhet në njoftimi.

ShSKUK thekson se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, duke aplikuar penalizimet përkatëse ndaj operatorëve që kanë shkelur kontratat e furnizimit, një praktikë që po zbatohet me përpikëri dhe përgjegjësi.

“Gjatë vitit 2024 ShSKUK ka penalizuar Operatorët Ekonomik në vlerë totale prej 226,240.08 euro. Ndërsa për vitin 2025 deri më tani janë penalizuar OE në vlerë totale prej 130,184.75 euro. Lidhur me disa produkte për të cilat, pavarësisht inicimit me kohë të procedurave të tenderimit, procesi ka rezultuar i pasuksesshëm për shkak të mungesës së ofertave nga operatorët ekonomikë, dëshirojmë të informojmë opinionin se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar I Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar ndërprerjen e furnizimit dhe për të garantuar vijueshmërinë e trajtimit për pacientët. Në këtë drejtim, janë siguruar donacione me produktet përkatëse dhe aktualisht jemi në proces të shqyrtimit të të gjitha mundësive të tjera ligjore dhe operacionale për furnizim alternativ”, thuhet në njoftim.

“Theksojmë përkushtimin tonë të plotë për të garantuar një furnizim të pandërprerë dhe të qëndrueshëm me barna esenciale, duke siguruar funksionim të rregullt të të gjitha shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtje të vazhdueshme të interesit të pacientëve”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale