Shqipëri, rritje e ndjeshme e investimeve nga Kosova

18:58 | 5 Prill 2026
E.G

Investimet e ndërmarrjeve nga Kosova në Shqipëri kanë shënuar rritje të fortë gjatë vitit të fundit, duke e pozicionuar Kosovën si një nga investitorët kryesorë të huaj në vend, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, flukset e investimeve nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2025 arritën në 153 milionë euro, me zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, stoku i investimeve nga Kosova është rritur ndjeshëm, duke arritur rreth 550 milionë euro në fund të kësaj periudhe, në rritje me mbi 40% në terma vjetorë.

Rritja e kapitalit kosovar në tregun shqiptar lidhet kryesisht me blerje strategjike të ndërmarrjeve vendase, që kanë forcuar praninë e bizneseve nga Kosova në sektorë kyç të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e modës dhe atë të shërbimeve ushqimore, etj çka tregon një prirje të qartë drejt diversifikimit të investimeve.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se kjo rritje reflekton jo vetëm interesin në rritje të bizneseve kosovare për tregun shqiptar, por edhe forcimin e integrimit ekonomik mes dy vendeve, si dhe besimin në potencialin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare./ATSH