Shoqëria Civile kërkon përsëritje të konkursit për zgjedhjen e Komisionerit për Informim dhe Privatësi

16:05 | 7 Qershor 2021

Shoqëria Civile ka shprehur shqetësimin me parregullsitë dhe procedurat e ndjekura në procesin e katërt të përzgjedhjes së Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.

Paneli intervistues i Komisionit për Çështje të Mbrojtjes dhe Sigurisë i Kuvendit të Kosovës, i përbërë nga deputetët Fatmir Humolli, Shqipe Mehmeti Selimi, Mefail Bajqinovci dhe Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje, Erxhan Galushi dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Slavko Simić nga Lista Serbe, kanë intervistuar kandidatët më 7 qershor 2021.

Për këtë pozitë kanë kandiduar Edon Myftari, Enver Bujari, Krenar Këpuska, Krenare Sogojeva Dermaku, Sadik Kryeziu dhe Xhemshit Brajshori. Prej tyre u intervistuan tre, përkatësisht Edon Myftari, Enver Bujari dhe Krenare Sogojeva Dermaku. Disa minuta para intervistës është tërhequr Sadik Kryeziu.

Deputetët prezentë vlerësuan me më së shumti pikë kandidatin Enver Bujari, përkatësisht me 69 pikë, kandidaten Krenare Sogojeva Dermaku me 63 pikë dhe kandidatin Edon Myftari me 61.5 pikë.

Nga monitorimi direkt i këtij procesi, ne vlerësojmë se procesi i verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar, intervistimit dhe poentimit pas intervistimit nuk ka garantuar vlerësim meritor të kandidatëve të intervistuar, për disa arsye.

E para, nga analiza e biografive të të gjithë kandidatëve kemi vërejtur që biografia e dorëzuar në këtë proces nga z. Bujari nuk është e njëjtë me biografitë që ai ka dorëzuar në proceset e mëparshme në disa pika. Sipas biografisë së dorëzuar në vitin 2019 në Kuvendin e Kosovës, z. Bujari kishte deklaruar që ka punuar si shef i njësisë për hetimin e narkotikëve në periudhën 2006-2019, në biografinë e dorëzuar në vitin 2020 ai kishte deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2020 ndërsa në biografinë e dorëzuar në vitin 2021 ai ka deklaruar se kishte punuar në atë pozitë në periudhën 2009-2019. Po ashtu, në biografitë e dorëzuara ka shpërputhje në datat e studimeve. Sipas biografisë së dorëzuar herën e parë dhe të dytë, ai e ka kryer fakultetin për shkenca politike dhe administratë publike në kolegjin “Fama” për dy vite (2010-2012) ndërsa sipas biografisë së dorëzuar herën e tretë ai ka kryer fakultetin për tri vite në një periudhë tjetër kohore (2007-2010). Poashtu, ai ka ndryshuar tri herë datat në të cilat ka bërë studimet në fushën e inxhinierisë, përfshirë emrin e institucionit arsimor. Ne shprehim shqetësimin tonë që paneli rekrutues nuk i ka verifikuar këto informacione.

Tutje, gjatë intervistimit paneli nuk ka përfillur metodologjinë e krijuar nga ekspertët britanikë, dhe e cila ishte pranuar nga Kuvendi për të siguruar meritokraci, integritet dhe legjitimitet të proceseve të përzgjedhjes. Pyetjet janë përpiluar pa praninë e monitorueseve nga shoqëria civile, për dallim nga proceset e kaluara kur ne jemi ftuar të jemi pjesë e tërë procesit.

Po ashtu, herët e kaluara deputetët kanë bërë vlerësimin në mënyre transparente, duke bërë të ditur pikët e vlerësimit pas secilit intervistim dhe duke ofruar arsyetim për vlerësimin e bërë. Kësaj herë, deputetët kanë vlerësuar kandidatët në mënyrë anonime duke mos dhënë arsyetim për pikët e dhëna. Kujtojmë që kandidati i vlerësuar më së larti nga Komisioni kësaj radhe ka kandiduar edhe në të gjitha proceset e kaluara, mirëpo ekspertet britanikë të cilët e kishin ndihmuar procesin e rekrutimit në vitin 2019 dhe në 2020 nuk e kishin vlerësuar me poena kaluese dhe nuk e kishin rekomanduar atë për pozitën e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi.

Ne gjithashtu ritheksojmë shqetësimin tonë në lidhje me përbërjen e panelit intervistues. Me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje, paneli është përbërë nga të gjithë anëtarët e Komisionit e jo vetëm nga një përfaqësues i partive politike, siç është praktika parlamentare deri tani. Përderisa partitë në pushtet kanë dështuar që të arrijnë konsensus për të mbajtur të përfshirë partitë opozitare, njëkohësisht ne konsiderojmë që opozita ka dështuar ta përmbushë obligimin që të përfaqësojë interesat e votuesve të vetë duke marrë pjesë në Kuvend dhe duke dhënë kontributin e saj.

Pozita e Komisionerit/es për Informim dhe Privatësi dhe fusha që e mbulon Agjencia që udhëhiqet nga Komisioneri/ja është jashtëzakonisht e ndjeshme, dhe si e tillë kërkon legjitimitet të plotë për këdo që zgjedhet në këtë pozitë. Problemet e shumta që e kanë shoqëruar këtë proces ka ndikuar drejtpërdrejt mbi humbjen e këtij legjitimiteti të domosdoshëm.

Duke e konsideruar procesin tashmë në një fazë shumë të avancuar për të pasur mundësi të përmirësimit të këtyre problemeve, ne i bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit që përsërisin konkursin duke siguruar që parregullsitë e tilla të evitohen në të ardhmen dhe Kosova të bëhet me Komisioner/e për Informim dhe Privatësi në baza meritore./arbresh.info/

Organizatat dhe aktivistët nënshkruese:
FOL
Flutura Kusari
GLPS
KDI
KCSF
Çohu
D4D
GAP

Lajmet më të lexuara