Google ADS

Shkarkimi i Gërvallës a do të cenonte miqësinë Osmani-Kurti?

08:09 | 10 Prill 2022
A Z

Skandale të njëpasnjëshme, shkarkime të ambasadorëve, por asgjë nuk mjaftoi që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të shkarkohej, raporton arbresh.info. Debati për politikën e jashtme, të martën, pritet të zhvillohet me tone të ashpra, për shumë nga veprimet e Kryediplomates, dhe llogari për këtë opozita do t’i kërkojë kryeministrit, Albin Kurti.

Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se Gërvalla po mbahet për “hatër”, dhe lidhet direkt me miqësinë e presidentes, Vjosa Osmani, me kryeministrin, Albin Kurti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme për arbresh.info tha se, Kurti do t’i bënte nderë vetës me shkarkimin e Donika Gërvallës.

“Kryeministrit Kurti do t’i bënte nder vetës dhe Kosovës me një veprim të tillë. Vlerësoj këtë jo përgjegjësi ndaj punës së saj si kryediplomate, e dëshmoi edhe mbajta fshehtë e takimit me Ministrin e Jashtëm të autoriteteve palestineze Al-Maliki gjatë forumit të Antalyas”, tha Shoshi.

Një takim mes dy homologëve Kosovës edhe Palestinës ka ndodhur në forumin në Antalia, por nuk u bë publike nga MPJ-e, gjë që sipas Shoshit mund të ketë pasoja për Kosovën.

“Tani ministrja po dëshmon që jo vetëm që po benë diplomaci të heshtur por edhe regresive. Andaj, në Kuvend do të kërkoj të na njoftoj lidhur me këtë takim dhe bisedën që ka zhvilluar z.Al-Maliki, sepse një takim i tillë nuk ka mundësi të kaloj pa pasoja për shtetin tone”, deklaroi Shoshi.

Njohësi i çështjeve për politik të jashtme, Artan Muhaxheri, për arbresh.info tha se Kurti mban një përgjegjësi të “fajit” sa i përket nivelit të detyrës së Gërvalles dhe se intervenimi i tij do duhej të kishte ndodhur.

Muhaxheri tha se një intervenim ndaj Gërvallës do të ndikonte direkt në lidhjen mes Kurtit dhe Osmanit.

“Znj.Gervalla nuk ka qenë në nivel të detyrës por kjo nuk ka ndodhur vetëm për fajin e saj por edhe të kryeministrit Kurti i cili është dashur të ndërhyjë në punën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, qoftë duke kërkuar ndonjë sqarim, apo duke ndërhyrë në përmirësimin e kualitetit të stafit në nivele të ndryshme. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur edhe fatura kryesore do t’i shkojë kryeministrit Kurti”, tha ai.

Tutje, Muhaxheri tha se Gërvalla si aleate e afërt e presidentes Osmani, mban status të privilegjuar brenda kabinetit të Kurtit.

“Raporti mes kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani është zakonisht specifik sepse fitorja e madhe e 14 shkurtit është bërë pas bashkëpunimit të tyre dhe natyrisht që znj. Gërvalla si një aleate e afërt e presidentes Osmani ka pasur një status të privilegjuar përbrenda kabinetit Kurti. Gjithsesi duke e ditur edhe faktin që ajo tash është edhe udhëheqëse e partisë “Guxo”, dhe largimi i saj do të nënkuptonte  edhe një lloj çarje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo e cila pastaj do të reflektohej edhe në gjithë atë entuziazmin e 14 shkurtit. Pra, do të konsiderohej edhe nga elektorati si një indikatorë për ekzistimin e problemeve në mes të Kurtit dhe Osmanit dhe kjo do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm në imazhin e të dyve, andaj çdo cenim i kësaj ‘miqësie’ do të ketë pasoja elektorale për Kurtin në zgjedhjet e ardhshme, por edhe për znj. Osmani dhe subjektin politik të saj”, deklaroi Muhaxheri.

Pavarësisht presionit publik, për intervenimin e saj në këtë rast presidentja Osmani përsëri nuk ndërmori asgjë.

Analistja politike Afërdita Maliqi, për arbresh.info tha se edhe nëse presidentja Osmani do të dëshironte ta ndërronte Gërvallen, do ishte e pamundur pasi që Lista Guxo nuk ka kuadro.

“Lista Guxo nuk ka kuadro, janë një grup, që të gjithë kanë pozita, dhe Osmani, që  ka përfaqësuar këtë liste, në një mënyrë e ka lënë Gërvallen si përfaqësuese të saj, andaj edhe po të dojë të ndërhyjë, ajo nuk ndërhyn, sepse nuk ka ndonjë emër që do të zëvendësonte”, tha Maliqi.

Kujtojmë se që nga viti 2021 Kosova nuk ka shënuar progres në politikën e jashtme dhe as ndonjë anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare, e që fajtor kryesor për këtë stagnim sipas opozitës dhe kritikëve të politikës së jashtme mbetën Institucionet e Kosovës për mungesë të konsolidimit të politikës së jashtme./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme