Shiste ilegalisht produktin “Collagen Peptides 200 gr”, arrestohet i dyshuari në Ferizaj

20:33 | 4 Qershor 2025
E.G

Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se ka prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë ilegale produktin “Collagen Peptides 200 gr”, të cilin e shesin në mënyrë të paligjshme përmes rrjeteve sociale.

Sipas njoftimit, policia sot ka lokalizuar dy posta të shpejta përmes së cilave janë shpërndarë produktet e falsifikuara.

Me pas është identifikuar edhe personi si dhe objekti në Ferizaj, ku produktet janë ripaketuar dhe ambalazhuar.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pasi kanë pranuar një informatë, të njëjtën e kanë trajtuar nën dyshimin se persona të dyshuar janë duke prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë ilegale produktin “Collagen Peptides 200 gr”, të cilin e shesin në mënyrë të paligjshme përmes rrjeteve sociale.Pas pranimit të informatës, rasti është trajtuar në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës. Sot, më datë 04.06.2025, në koordinim ndërinstitucional mes Policisë së Kosovës dhe Doganës, janë ndërmarrë veprime hetimore në terren. Si rezultat i këtyre veprimeve, janë lokalizuar dy posta të shpejta përmes së cilave janë shpërndarë produktet e falsifikuara. Me pas është identifikuar edhe personi si dhe objekti në Ferizaj, ku produktet janë ripaketuar dhe ambalazhuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar:

• Dhjetë thasë – paketime prej 6800 gr të mbushur me lëndë të parë, proteine “REALMASS” e cila pas ripaketimit në pako me të vogla (kuti plastike – imitim) online është shitur si Collagen,

• Njëmijë e pesëqind copë ambalazh plastik, imitim i paketimit origjinale të produktit,

• Njëmbëdhjetë pako të gatshme për shitje në treg;
• Si dhe një sasi e konsiderueshme etiketash me mbishkrimin Collagen

Në magjistralen Prishtinë– Pejë, te selia e njërës nga postat e shpejta, janë gjetur edhe:

• 30 pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve,

Kurse në Lipjan, po ashtu të një postë tjetër e shpejtë, janë gjetur dhe konfiskuar:

• Tri pako të porositura e të gatshme për t’ua dërguar klientëve.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës dhe më pas me aktvendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti lirohet në procedurë të rregullt./Arbresh.info/