Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të bazuar padinë e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) të paraqitur kundër Qeverisë së Kosovës, duke shpallur të paligjshëm dhe duke shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023 për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.
Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, dispozita e kontestuar, e cila parashihte që shpenzimet e udhëtimeve zyrtare të mos mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.
Instituti Demokratik i Kosovës kishte parashtruar padi për shfuqizimin e pjesshëm të këtij akti nënligjor, duke argumentuar se kufizimi kohor i vendosur me rregullore cenon të drejtën e garantuar me Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.
Padia e KDI-së pasoi ankesat e pranuara në muajin korrik 2025 nga një grup ushtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kishin raportuar për shkelje të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare, për shkak të aplikimit të kufizimit njëmujor.
Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton në mënyrë të qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa vendosur asnjë kufizim kohor. Sipas gjykatës, Qeveria është e autorizuar të rregullojë vetëm mënyrën, kushtet dhe procedurat e kompensimit, por jo të kufizojë vetë thelbin e kësaj të drejte.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se kufizimi njëmujor nuk përbën një rregull teknik, por ndërhyn drejtpërdrejt në thelbin e së drejtës së garantuar me ligj, duke e bërë dispozitën përkatëse të rregullores të kundërligjshme.
Si rrjedhojë, Gjykata Supreme ka vendosur shfuqizimin e paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores (QRK) nr. 06/2023, duke riafirmuar parimin e hierarkisë së normave juridike dhe detyrimin e organeve ekzekutive për të vepruar brenda autorizimeve ligjore./rtk
Komunat veriore me shumicë serbe tërhiqen nga Asociacioni i ...
Prishtina ndez sonte dritat e fundvitit
Heqja e 50% të masave të BE-së ndaj Kosovës vlerësohet si ha...
Djali i Thaçit falënderon Ramën për vizitën në Hagë: Ju na d...
Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton ndërhyrjen në çmimet e k...
Vdes çetniku serb Slavko Aleksiq, simbol i rrethimit famëkeq...