Sherifi: Lista e veteranëve të Fondit Vendlindja Thërret e ndikuar nga pushteti

19:25 | 11 Qershor 2015
Arbresh.info

Zyrtari i NISMA’s Bilall Sherifi nëpërmjet një reagimi ka thënë se në listën e veteranëve që u publikua dje ka njerëz që e kanë merituar të jenë pjesë e listës, por sipas tij aty janë futur edhe njerëz që kanë lidhje me pushtetin.

Më poshtë mund të lexoni të plotë letrën e Sherifit.

TË NDERUAR BASHKËVEPRIMTARË DHE KONTRIBUES
TË FONDIT VENDLINDJA THËRRET

Në pamundësi që t’iu drejtohem secilit një nga një, përmes kësaj letre publike po ju drejtohem të gjithëvë së bashku.
Dje, u publikua lista e veteranëve, dhe veteranëve pjesëtar të Fondit Vendlindja Thërret.
Ky fond që nga themelimi deri në fund kishte vetëm një mision, të grumbulloj mjete financiare për të financuar luftën e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, luftë të cilën e zhvillonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

I shikova me vëmendje këto lista, ku 120 nga ata kishin fituar statusin e veteranit, 712 statusin e veteranit pjesëtar, ndërsa numri i atyre që u është refuzuar ishte 464.
Në këto lista ka veprimtar që e kanë fituar dhe që vërtetë e meritojnë statusin e veteranit ose veteranit pjesëtar, si dhe ka të tillë që sipas kritereve që kërkon ligji nuk e kanë merituar, por që për arsye të lidhjeve me njerëz të pushtetit ua kanë dhuruar.

Pse po them se ua kanë dhuruar? Jo se këta nuk kanë kontribuar për Fondin Vendlindja Thërret, por për arsye se kontributi i tyre është i barabartë me ata qindra që u është refuzuar si dhe me mijëra të tjerë që kanë kontribuar por fare nuk kanë aplikuar. Kaq sa i përket këtyre kategorive.
Tani do t’iu drejtohem atyre që e kanë merituar por u është refuzuar, atyre që kanë aplikuar por emri i tyre nuk figuron në asnjë listë, si dhe atyre që fare nuk kanë aplikuar te e cila bëj pjesë edhe unë.

Nuk kam aplikuar sepse konsideroj se ka qenë e panevojshme dhe e pa drejtë që kjo të bëhet përmes procesit të aplikimit.
Nëse për veteranët ushtarë të cilët kanë vepruar në Kosovë, procesi i aplikimit ka pasur njefarë logjike, sepse në kohë lufte është e vështirë të mbahet adminstrata sidomos të ruhen dokumentet. Kjo nuk mund dhe nuk do të duhej të vlente për Fondin Vendlindja Thërret, sepse Fondi ka vepruar jashtë territorit të Kosovës, pra jashtë zonave të luftës dhe është mbajtur administrate, pra ka dokumente të mjaftueshme për të ditur për secilin sa dhe se si ka kontribuar.

Prandaj verifikimi i të gjithë atyre që e kanë drejtuar Fondin si në nivel qëndror poashtu edhe në atë lokal, si dhe atyre që kanë kontribuar ka qenë shumë i lehtë. Gjithcka që është dashur të bëhej, për të qenë korrekt dhe të drejtë me të gjithë, ka qenë konsultimi i dokumenteve të Fondit Vendlindja Thërret.

Thënë ndryshe ata që dikur dinin t’iu gjenin për t’iu kërkuar të angazhoheni dhe të kontriboni në kuadër të Fondit, nuk kanë të drejtë që sot të kërkojnë nga ju të aplikoni. Krejt çka ata është dashur të bëjnë gjatë këtij procesi, ka qenë thjeshtë të ecin në të njejtën rrugë që ecën dikur kur vinin te ju para shumë vitesh për të kërkuar nga ju që te angazhoheni në kuadër të fondit, dhe t’ua dorëzonin atë “copë letër” përmes së cilës do të dëshmonin se nuk ju kanë harruar.
Por jo, nuk e bënë kështu sepse kjo do t’ua pamundësonte që dikujt t’ia njihnin kontributin ndërsa dikujt jo.

Tani, të nderuar bashkëveprimtarë, si bashkëveprimtar i juaj e di që, shumë nga ju me muaj dhe me vite keni kontribuar në kuadër të Fondit Vendlindja Thërret, shumë nga ju shpesh herë keni lënë anash familjet e juaja, keni lënë keq nevojat e fëmijve tuaj, ka edhe të atillë që përshkak të pagave të ulëta nuk kanë pasur mundësi të ndajnë mjete nga një page, por të shtyrë nga dëshira për të kontribuar për çlirimin e vendit kanë marrë kredi të cilat i kanë derdhur në Fondin Vendlindja Thërret.
Kur ju e bënit këtë, nuk e bënit që dikur të kërkoni as mirënjohje as shpërblim, e bënit sepse Vendlindja thërriste dhe ju nuk mund të qëndronit indiferent.
Kur ju e bënit këtë, Kosova digjej në flakë, Kosovës i kërcënohej gjenocidi dhe e vetmja shpresë që kjo të mos ndodhte, ishin ushtarët trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kishin nevojë që motrat dhe vëllezërit e tyre në mërgim, të ju ndihmonin që misionin e çlirimit të vendit ta çojnë deri në fund.

Ju, djersën e juaj atëherë kur kërkohej e dhatë, në mënyrë që luftëtarët e lirisë të cilët përballeshin me forca armike shumëfish më të armatosura, ta çonin deri në fund amanetin e dëshmorëve të rënë ndër breza.
Ju, ndjehuni mirë që falë edhe kontributit tuaj shumë nga luftëtarët e lirisë ishin armatosur më mirë sesa do të ishin pa kontributin tuaj, shumë nga ata, falë edhe kontributit tuaj sot janë gjallë, dhe jini të sigurtë se ata, pra ushtarët e lirisë u janë dhe do t’ju jenë mirënjohës përgjithmonë.
Ndjehuni mirë se falë edhe kontributit tuaj sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, natyrisht për aq sa është.

Prandaj Kosova kurrë nuk do të harrojë se pjesë e luftës për çlirimin e saj ishit edhe ju. Unë jam i sigurtë, që ju e dini mirë se mosnjohja e kontributit tuaj nuk ju vjen nga ushtarët e lirisë, nuk ju vjen nga Kosova, por nga ata që tani e kanë kapur edhe Kosovën. Madje këta jo vetëm që nuk mërziten për ju, por më as për Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, për të cilën po pregatiten t’ia bëjnë edhe një Gjykatë Speciale, gjithnjë në emër të “pastrimit të luftës së saj”.

Dhe për fund, do të mbetem i përkushtuar që në të ardhmen kur ky ligj dhe zbatuesit e tij të ndryshohen, ashtu që të gjithë ata që kanë qenë të organizuar në strukturat e Fondit Vendlindja Thëret, të fitojnë statusin e veteranit, si dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë fond të fitojnë statusin e veteranit pjesëtar.

Sepse jam shumë i sigurt se nëse shumë veteran ushtarë në Kosovë kanë nevojë që përmes statusit të veteranit të marrin edhe një mbështetje simbolike financiare, ju që jetoni në mërgatë nuk keni nevoja të tilla, prandaj njohja e statusit për ju është vetëm çështje mirënjohjeje të cilën ua kemi borgj.

Shpërndaje në rrjete sociale