Vushtrria njihet me tokë bujqësore dhe për kultivimin e patates. Prodhimi i kësaj kulture bujqësore në këtë komunë është traditë, pasi patatet e Vushtrrisë kaherë kanë qenë të njohura jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e rajonit e të Evropës.
Për këtë, në Pestovë të Vushtrrisë sot u mbajt manifestimi tradicional “Dita e patates” në fabrikën Vipa Chips.
Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi theksoi me këtë rast se ka shumë kultura bujqësore që kanë treguar sukses, por shembulli më i mirë është kultura bujqësore e patates në Kosovë, produkt ky që është me bollëk për vendin dhe për eksport.
Krasniqi tha se sektori i bujqësisë mbetet njëri ndër sektorët me potencial të lartë i cili po kontribuon edhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ka shumë kultura të cilat kanë treguar sukses në vitet e fundit në Kosovë, disa prej tyre jo shumë tradicionale në të kaluarën, por ndoshta shembulli më i mirë i suksesit ka qenë dhe vazhdon të jetë patatja në vendin tonë… sepse ka vite që fermerët e vyeshëm të Kosovës, sidomos të këtij rajoni, prodhojnë në sasi të mjaftueshme, jo vetëm për konsumin vendor, jo vetëm për përpunimin që bëhet në vendin tonë i patates, por edhe për tregjet e rajonit dhe tregjet tjera, ku vite me radhë është eksportuar patatja e Kosovës”, tha ministri Krasniqi.
Ndërsa, drejtori i kompanisë ‘Pestova’, Bedri Kosumi duke vlerësuar lartë të arriturat në kultivimin e patates, tha se assesi nuk duhet të ndihen të kënaqur me atë çfarë është arritur, por, sipas tij, fatmirësisht fermerët në këtë vit dhe “Pestova”, kanë një vit të suksesshëm të prodhimit të lëndëve të para, aty ku është çelësi i produkteve finale.
Ai tha se gjithsesi duhet të punohet edhe më shumë që të jenë konkurrent në tregun vendor dhe në atë ndërkombëtar.
Por Kosumi pati edhe dy kërkesa në këtë ditë tradicionale të patates.
“Sigurisht se është arritur për të punuar dhe po punohet shumë në drejtim të zhvillimit të bujqësisë dhe patates. Mirëpo, gjithsesi ka nevojë edhe për shumë punë dhe për shumë gjëra të kryhen të cilat tani për tani në Kosovë mungojnë… të gjithë ata që merren me bujqësi e dinë se bujqësia është një hambar pa kulm, i cili varet prej kushteve klimatike. Andaj, i kam dy kërkesa për këtë rast, sa më shpejt që të jetë e mundur të bëhet sigurimi i kulturave bujqësore në hapësirë të hapur. U tha se në Vushtrri janë 7 mijë hektarë nën ujitje që nuk mjaftojnë, kjo nuk vlen vetëm për Vushtrrinë por edhe për Kosovën dhe të punohet patjetër në zgjerimin e sistemit të ujitjes, kemi nevojë për më shumë toka me sistem të ujitjes”, tha Kosumi.
Nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Dibran Përquku tha se janë krenarë që fermerët e patates kanë shtuar prodhimtarinë, cilësinë dhe rendimentet e patates. Ai theksoi se komuna dhe Qeveria kanë mbështetur këtë sektor dhe do të vazhdojnë të mbështesin me përkushtim të lartë.
“Sot jemi krenarë që kultivuesit e patates, por edhe prodhuesit e tjerë bujqësor kanë arritur të rrisin rendimentet, kanë shtuar edhe cilësinë e kësaj kulture bujqësore, kështu që nga viti në vit po shihet përparim që po bëhet”, tha Perquku.
Përfaqësuesja e BERZH në Kosovë, Elena Petrovska, duke vlerësuar lartë rëndësinë e sektorit të bujqësisë, tha se bujqësia është një sektor mjaft me vlerë dhe sektor që me të vërtet është shtytëse për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ajo përmendi edhe përkrahjen e BERZh që i ka dhënë sektorit të bujqësisë, kompanive private.
Ministri i Bujqësisë premtoi se mbështetja prej 46 milionë eurove për sektorin e bujqësisë do të vazhdojë dhe pritet që për vitin e ardhshëm të rritet edhe më shumë kjo mbështetje financiare dhe me grande të ndryshme.
Në komunën e Vushtrrisë janë rreth 2 mijë hektarë të kultivuara me patate që rendimentet ishin rreth 35 mijë tonelata për një hektar në këtë vit. Ndërsa, në tërë Kosovën janë rreth 7 mijë hektarë të kultivuara me patate.
Renovimi i objektit të Ministrisë së Bujqësisë, ngritet akta...
ZPS: Selimi mori pjesë në krime, kushëririn e tij e emëroi v...
Prokurori: Shohim përfshirjen e Veselit në krimet e ngritura...
Mitrovica mbështet 350 studentë me bursa prej 720 eurosh
SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështesë FSK-në me pajisje ushtar...
Armë, municion e uniforma në një shtëpi të pabanuar në Lepos...