Serbia vazhdon viktimizimin në Këshillin e Sigurimit për serbët në Kosovë

17:41 | 9 Prill 2026
E.G

Kreu i diplomacisë serbe, Marko Gjuriq, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se roli i UNMIK-ut duhet të forcohet, duke kritikuar zërat që kërkojnë mbylljen e këtij misioni.

Sipas tij, prania dhe mandati i UNMIK-ut mbeten të domosdoshme për stabilitetin në terren dhe për adresimin e situatës në Kosovë.

Gjuriq ka folur edhe për gjendjen e serbëve në Kosovë, duke pretenduar se ata, sipas tij, po trajtohen si “të tjerët” nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ai ka thënë se Kombet e Bashkuara nuk duhet të heshtin për këtë çështje.

“Ajo që ndodh në Kosovë sot është çështje e përgjegjësisë së përbashkët në provën e kredibilitetit të rendit ndërkombëtar. Faktet janë shqetësuese”, ka deklaruar Gjuriq, pa ofruar argumente konkrete.

Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për atë që e ka quajtur “eksod” të serbëve nga Kosova, duke kërkuar që kjo, sipas tij, të ndalet.

Në fjalën e tij në KS të OKB-së, Gjuriq ka kërkuar edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shpërndaje në rrjete sociale