Zyrtarët serbë paralajmërojnë se në takimin e 22 shkurtit me homologët kosovarë do të diskutojnë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se në Bruksel do të bisedohet “për të pagjeturit, gjyqësorin, por edhe për zgjedhjet e 3 prillit, sepse ato duhet të mbahen në Kosovë”.
Petkoviq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.
Serbia kërkon që zgjedhjet e saj të mbahen edhe në Kosovë
Në janar, Kosova nuk e ka lejuar zhvillimin e një referendumi të Serbisë, për çështje të gjyqësorit, në territorin e saj, dhe zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se ngjashëm do të veprohet edhe me zgjedhjet e prillit.
Në atë kohë, Qeveria e Kosovës ka thënë se hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa si mundësi për serbët ka ofruar votimin me postë apo përmes Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë.
Deri më tash, Qeveria nuk duket se ka lëshuar pe, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, në fillim të këtij muaji, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.
Lajçak ka thënë se ka standarde dhe praktika evropiane, që i lejojnë njerëzit të votojnë, kur jetojnë diku tjetër.
“Duhet të gjenden modalitete. U përket të dyja palëve, ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja do të ndihmojnë”, ka thënë ai.
Në fund të javës së kaluar, edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albun Kurti, për zgjedhjet e Serbisë.
Në një postim në Tëitter, Chollet ka thënë se kanë diskutuar për praktikat kur Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) “është pajtuar me kërkesat e shteteve të tjera për votime me prani fizike”.
Kurti nuk e ka komentuar këtë deklaratë.
Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, “vetëm përmes OSBE-së”
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valdete Daka, thotë se serbët e Kosovës, me shtetësi serbe, do të mund të votonin në zgjedhjet e Serbisë ashtu siç voton diaspora kosovare në zgjedhjet e Kosovës: në ambasada ose përmes postës.
Në Kosovë, shton ajo, zgjedhjet e Serbisë mund të organizohen vetëm me menaxhimin dhe organizimin e OSBE-së dhe pa përfshirjen e institucioneve të Kosovës, e aq më pak të KQZ-së.
“Te ne ka qenë rast unik, sepse unë nuk e di që në ndonjë shtet të botës mund të shkojë dikush nga një shtet të hapë vendvotim në një shtet tjetër”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.
Edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se me ndërmjetësimin dhe organizimin e OSBE-së, qytetarët serbë do të mund të votonin në zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.
Por, sipas tij, shteti serb mund të vendosë edhe qendra të votimit në pikat kufitare me Kosovën, në mënyrë që qasja e serbëve të Kosovës në zgjedhje të jetë më e lehtë dhe më e shpejtë.
“Mendoj se do të duhej të diskutohej një mundësi që në pikat kufitare – në vendkalimet tokësore – vendvotimet të organizohen nga Republika e Serbisë”, thotë Kryeziu.
Misioni i OSBE-së nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se cilat janë praktikat e tjera përveç “grumbullimit të votave” që janë përdorur në shtetet anëtare të kësaj organizate.
Ja çka i ndodh trupit nëse flini me çorape
Era Istrefi elektrizon skenën e Big Brother VIP Kosova
Abdixhiku në Prishtinë: Zgjidhja për Kosovën është LDK
Upamecano mes Bayern Munich, Real Madrid e Paris Saint-Germa...
Goditi me thikë tri gra në Paris, policia franceze kap 20 vj...
Ish-komandanti i Forcave Detare të Shqipërisë: Banjska ndrys...