Sekuestrohen armë dhe narkotikë në Ferizaj, arrestohen dy persona

08:09 | 8 Korrik 2025
E.K

Njësiti i Hetimeve në Stacionin Policor të Ferizajt, në bashkëpunim me njësitin reagues, ka ndërmarrë një aksion policor që ka rezultuar me sekuestrimin e armëve dhe substancave të dyshuara narkotike.

Sipas policisë, të hënën në ora 20:00, është ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor personi i dyshuar P.R., 22 vjeç, tek i cili gjatë kontrollit trupor janë gjetur substanca të dyshuara narkotike.

Për këtë rast, është iniciuar procedurë penale për veprën “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

Hetimet paraprake kanë zbuluar një fotografi ku i dyshuari P.R. shfaqej duke mbajtur armë zjarri, çka ka çuar në bastisjen e një lokacioni në fshatin Pleshinë.

Gjatë kontrollit në këtë vendbanim, policia ka sekuestruar: një pushkë të gjatë përsëritëse me 26 fishekë dh një pushkë gjuetie artizanale me 12 fishekë.

Pas verifikimeve është konstatuar se armët i përkasin personit I.R., 47 vjeç, mirëpo për to ai posedonte leje të skaduar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, është iniciuar procedurë penale për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Të dy të dyshuarit, pasi janë intervistuar nga policia, janë liruar në procedurë të rregullt./Arbresh.info