Sejdiu: Lista Serbe po ndihmon Mustafën për ta privatizuar Trepçën

14:44 | 8 Tetor 2016
M. A.

Lista Serbe është pjesë e Qeverisë dhe ka ndihmuar kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa që të privatizojnë Trepçën.

Kështu ka deklaruar nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, i cili është pyetur se nëse janë rreshtuar me Listën Serbe në votimin e Ligjit për Trepçën.

“Ka një dallim, pasi ne kemi dashur që Ligji për Trepçën të jetë në përputhje me ligjin për ndërmarrje publike, dhe të mos privatizohet, ndërsa Lista Serbe ka dashur që të ketë dialog në Bruksel”, është përgjigjur Sejdiu.

Ai ka thënë se janë munduar që të sjellin në Kuvend amendamente për këtë Ligj, të cilat i kanë dërguar edhe në Komisione.

“Qëllimi ynë ka qenë që Ligji për Trepçën të ketë një element sa i përket llogaridhënies”, ka thënë Sejdiu.

Shpërndaje në rrjete sociale