Kapaciteti prej 700 litrash në sekondë që do prodhojë fabrika e ujit do të mjaftojë që qytetarët e Prishtinës të furnizohen me ujë 24 orë. Por, kjo nuk do të jetë e mundur deri në shtator të këtij viti, pasi që deri atëherë nuk do përfundojë as projekti i fabrikës së ujit.
Po përveq qytetarëve të Prishtinës, nga ky projekt në mënyrë direkte do të përfitojnë edhe qytetarët e Fushë Kosovës, Obiliqit, kurse në mënyrë indirekte ata të Graçanicës dhe Podujevës.
Për t’i njoftuar konsumatorët për këto detaje u organizua sot edhe një konferencë për media nga Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Për projektin u tha se është i organizuar në dy komponentë. Komponenta e parë është pika marrëse, stacioni i pompave dhe gypat deri në fabrikë, gypat që e shpërndajnë nga fabrika për në rezervuarin në Arbëri dhe në Shkabaj. Ndërsa, komponenta e dytë është fabrika e ujit .
Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Gjelosh Vataj, tha se punimet do të kryhen ashtu siç është paraparë, në shtator të këtij viti, ndërsa furnizimi me ujë do fillojë nga nëntori.
“Kontrata është nënshkruar me 8 tetor 2014 me firmën “Strabag” për dy komponentë. Punimet kanë filluar me datën 21 nëntor 2014 , ku shumica kanë qenë prezent në hapjen solemne të punimeve. E planifikuar është pas 22 muajve të kryhen punimet, që i bie me datën 21 shtator të vitit 2016 të përfundohen punimet. Për këtë jemi këtu për t’ju garantuar që këto punime do të kryhen me kohë. Shtator deri në nëntor të vitit 2016 do të jetë vit i përfundimeve të këtij projekti. Vit i plotësimit të ëndrrës së konsumatorëve që të kemi ujë 24 orë”, tha ai.
Gjithashtu, Vataj tha se KUR “Prishtina”, ka një laborator, i cili për çdo ditë e kontrollon ujin e kryeqytetit, derisa tha se është shumë e vërtet që gypat të cilët janë të lidhur nuk janë në favor të kompanisë, por që nuk do të ndikojnë në cilësinë e ujit.
Sa i përket mundës isë që ky projekt të rrezikohet në ndonjë mënyrë, Vataj tha se punët janë në atë fazë që nuk ka mundësi për rrezikim të projektit.
“Me të vërtetë projekti ka hy në një fazë që nuk mund të rrezikohet dhe nuk do të rrezikohet. Falënderojmë të gjithë donatorët në këtë rast, Bankën Gjermane, Komisionin Evropian dhe të gjithë donatorët e tjerë që na ndihmojnë. Nuk ka rrezikim të këtij projekti. Sa i përket deklaratave të ndryshme, pikërisht ky ka qenë qëllimi me tregu që ne jemi duke punuar që në një farë forme projekti të mos ndalohet por të vazhdojë”, tha ai.
Përfaqësuesi i kompanisë kontraktuese “Strabag”, Kristian Messenger hodhi poshtë, siç i quajti ai spekulimet që janë bërë për një kushtëzim nga ana e KUR Prishtinës.
Ai i hodhi poshtë edhe ndonjë raport të kompanisë “Str abag” dhe “Lahu” nga Mitrovica, pasi sipas tij, këto dy kompani nuk kanë asnjë raport mes vete.
Ndërsa, Ilir Trebicka, po ashtu nga kompania “Strabag”, deklaroi se gjatë përzgjedhjes së kontraktorëve të këtij projekti, nuk ka pasur ndonjë ndikim nga KUR “Prishtina”.
“Kompanitë tona nuk kanë as një lloj marrëdhënie dhe as një lloj komunikimi me KUR “Prishtina”, në lidhje me zgjedhjen e kontraktorëve. Ne kemi detyrim që t’i prezantojmë te inxhinieri ….. , t’i miratojë ai. Pastaj, kalon në procesin e miratimit edhe nga ujësjellësi, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Pra, zgjedhja është e jona dhe nuk kemi as një lloj marrëdhënie ose detyrimi nga askush”, tha ai.
Projekti i kësaj fabrike të ujit në Shkabaj, është mbështetur nga Qeveria Gjermane dhe Komisioni Evropian përmes Bankës Gjermane për Zhvillim. Gjithashtu, projekti është financuar edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, si dhe ujësjellësi rajonal KUR “Prishtina”.
Rama: Aktiviteti i Gjykatës Speciale në “Xhevdet Doda” u mba...
Sorensen pas takimit në Bruksel: Një hap për sqarimin e fati...
Presidenti i Këshillit Evropian: Vendimi i Trump për të mos ...
Filmi kosovar “Dy persona që shkëmbejnë salivën” nominohet p...
Perisic pranon rikthimin te Interi, Nerazzurët po tentojnë t...
Çmimi i arit arrin nivel rekord mes tensioneve gjeopolitike