Salih Mustafa mbetet në paraburgim, trupi gjykues thotë se ekziston rreziku i pengimit të procedurave

10:26 | 22 Nëntor 2022

Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, ka marrë vendim, me anë të së cilit, i është vazhduar masa e paraburgimit Salih Mustafës, gjykimi i së cilit për krime lufte ka përfunduar me 15 shtator dhe i njëjti është në pritje të vendimit të trupit gjykues.

Paneli ka konstatuar se vazhdon të ekzistoj rreziku që i akuzuari do të pengojë ecurinë e procedurës së Dhomave të Specializuara duke ndërhyrë me viktimat dhe dëshmitarët dhe/ose familjet e tyre.

Po ashtu, paneli ka konstatuar se ka arsye të arsyeshme për të besuar se rreziku i pengimit të ecurisë së procedurave të Dhomave të Specializuara, siç parashikohet në nenin 41(6)(b)(ii) të Ligjit, vazhdon të ekzistojë.

Ndërkaq, është konstatuar se nuk paraqet rrezik të arratisjes dhe se edhe nëse do të ekzistonte rreziku i tillë, i njëjti mund të zbutet në mënyrë adekuate nga kushtet që do t’i vendosen atij në pajtim me nenin 41(12) të Ligjit dhe rregullën 56(5) të Rregullave.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi