Rruga drejt NATO-s mbetet prioritet për Kosovën

21:14 | 24 Mars 2026
E.G

Thuajse tri dekada pas ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndryshoi rrjedhën e historisë duke hapur rrugën drejt lirisë dhe shtetësisë, aspiratat për integrim në strukturat euroatlantike mbeten prioritet i Republikës së Kosovës.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s mbi caqet serbe mbetet një nga momentet kyçe për rrugëtimin shtetformues të Kosovës. Duke marrë për bazë se Kosova ndodhet në fazën e konsolidimit institucional, një nga synimet kryesore mbetet edhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë aleancën veriatlantike.

“Por bombardimet e NATO-s në caqet serbe janë kthesa e madhe ushtarake dhe më pas edhe politike për Kosovën si shtet i pavarur, ku Kosova tani veç është në fazën e konsolidimit të plotë të institucioneve dhe njëkohësisht të fitimit të të drejtës, ose ka për synim anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, fillimisht në OKB e më pas, pa mëdyshje, që është interes shumë i madh të anëtarësohet edhe në NATO. Kur mund të anëtarësohet dhe cilat janë pengesat është temë tjetër, por synimi përfundimtar është që Kosova të jetë në NATO dhe i ka plotësuar kushtet edhe në aspektin ushtarak dhe të tjera. Kosova është e denjë të jetë një anëtare e re e organizatës edhe më tutje më e fuqishme ushtarake dhe politike në botë”, tha Fatmir Çollaku, profesor universitar.

Ndërkohë, mbështetja ndërkombëtare për këtë rrugëtim vazhdon. Ambasadori gjerman në RTK Prime, ditë më parë, ka ritheksuar përkrahjen për aspiratat e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.

Edhe ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës, Jamie Shea, e konsideron të domosdoshëm afrimin e mëtejshëm të Kosovës me aleancën.

“Unë jam një mbështetës i vendosur që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Partneritetit për Paqe. NATO duhej t’ia kishte ofruar Kosovës këtë mundësi që prej vitesh. Kjo do të hapte shumë më tepër rrugë për bashkëpunim praktik me NATO-n sesa grupi i kufizuar i aktiviteteve për të cilat aleatët kanë rënë dakord deri më tani dhe është një zhvillim logjik për një vend si Kosova që synon anëtarësimin në NATO. Nuk e shoh pse çështja e njohjes duhet të përdoret për të penguar Kosovën të hedhë hapin e parë drejt integrimit në NATO duke iu bashkuar Partneritetit për Paqe, një hap që dy duzina vendesh të tjera evropiane e kanë ndërmarrë prej kohësh. Kosova ndan vlerat e NATO-s dhe ka treguar se dëshiron të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme të NATO-s dhe jo vetëm të përfitojë nga siguria që NATO mund t’i ofrojë Kosovës, për shembull përmes KFOR-it”, theksoi Jamie Shea, ish-zëdhënës i NATO-s.

Në 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, Kosova, teksa kujton të kaluarën, shikon drejt së ardhmes me synimin për t’u bërë pjesë e strukturave më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë dhe politikës globale.

Shpërndaje në rrjete sociale