Google ADS

Rritet numri i grave që burgosen për dhunë në familje

14:01 | 23 Korrik 2023
E.H

Që nga viti 2000, Zyrafete Imeraj është punësuar në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK).

Tash e gjashtë vjet, Imeraj e ushtron detyrën e drejtorit, fillimisht në Qendrën Korrektuese në Dubravë, e tash në Lipjan.

“Në shërbimin Korrektues, përkatësisht në Qendrën Korrektuese Dubravë, jam punësuar në vitin 2000. Fillimisht si zyrtare korrektuese. Ndër vite jam avancuar nëpër të gjitha pozitat me radhë dhe gjatë kësaj kohe kam kaluar pothuajse në të gjithë sektorët e punës në Qendrën Korrektuese Dubravë. Prej vitit 2012 e deri tash, përkatësisht diku 11 vjet janë diku që kam ushtruar detyrën e zëvendësdrejtorit, e më shumë të drejtorit, d.m.th. diku 6 vjet është që ushtroj detyrën e drejtorit”, thotë ajo për ‘Arbresh.info’.

Imeraj, veçon Qendrën Korrektuese në Lipjan, në të cilën aktualisht ushtron pozitën e drejtoreshës.

Ajo thotë se këtu është numri më i vogël i të burgosurve.

“Kushtet për të burgosur janë të njëjta… d.m.th. edhe kushtet e akomodimit edhe programet edhe trajtimet që bëhen për të burgosur në përgjithësi në Shërbimin Korrektues janë të njëjta. Megjithëse në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan për femra ka hapësirë më të madhe, sepse është numri më i vogël. Kisha thanë që kushtet ndoshta të akomodimit janë më të mira”, pohon ajo.

Nga 29 të burgosura sa gjenden aktualisht këtu, 11 prej tyre, akuzohen për vrasje.

Imeraj thotë se është rritur numri i grave që akuzohen për dhunë në familje.

‘Kryesisht akuzohen për vrasje. 11 prej të burgosurave janë të akuzuara për vrasje dënimi i tyre maksimal është deri në 25 vjet. 25 vjet janë të dënuara, disa janë të paraburgosura. Dënimet e tjera janë për narkotik, për grabitje, mashtrim, rrëmbim, dhunë në familje që fatkeqësisht e kemi numrin e shtuar të të akuzuarave për dhunë në familje”, shprehet Imeraj.

Ani pse prapa grilave, të burgosurat kanë të drejtë të vizitohen dy herë në muaj nga familjarët e tyre.

“Të burgosurat kanë të drejtën dy vizita në muaj. Tretmani standard i ka dy vizita në muaj edhe me mundësi të një vizite shtesë në çdo tre muaj. Ndërsa të burgosurat e regjimit të avancuar kanë dy vizita në muaj dhe me mundësi sipas kërkesë së tyre çdo muaj edhe nga një ekstra vizitë. Ndërsa tretmani gjysmë i hapur i ka katër vizita në muaj edhe me mundësi sipas kërkesës së tyre edhe me nga një vizitë ekstra. Përpos vizitave familjare të rregullta janë edhe vizitat e lira me bashkëshortët e tyre që ju lejohen së paku një herë në tre muaj, ndërsa këto të regjimit të avancimit e kanë mundësi dy herë brenda tre muajve ku këto vizita mbahen tre orëshe”, tregon ajo.

Për të burgosurat nëna, Imeraj thotë se u mundësohet një vizitë prej tre orësh së paku një herë në tre muaj.

Të burgosurat ushqehen tre herë në ditë dhe ushqimi përgatitet nga kuzhinierë me ndihmën e tyre.

Drejtoresha na tregon edhe për punësimin e të burgosurave brenda Qendrës Korrektuese.

“19 prej tyre janë të punësuara. Kryesisht janë të punësuara në kuzhinë ku bëhet përgatitja e ushqimit edhe për qendrën tonë edhe për Qendrën Korrektuese për të Mitur. Ndërsa një grup tjetër është i punësuar në furrë ku bëhet gatimi i bukëve këtu edhe për qendrat e tjera. Një numër tjetër i të burgosurave është i punësuar në mirëmbajtjen e ambientit qoftë të brendshëm qoftë edhe të jashtëm. Disa të burgosura janë të angazhuara edhe në punë zonën e bujqësisë ku i kemi edhe serat, në pemishte e në pemëtari”, thotë Imeraj.

Ato përvec punës, këtu kanë mundësinë të marrin trajnime profesionale.

“Përpos punës për të burgosura organizohen edhe trajnime të tjera profesionale që për momentin jemi duke e mbajt trajnimin për informatikë që janë 6 të burgosura të angazhuara në këtë trajnim. Jemi në fazën fillestare të përgatitjes për angazhimin e një numri prej 8 të burgosurave për kuzhiniere. Pas përfundimit të këtij trajnimi sigurisht që do të vazhdojmë edhe me trajnime të tjera”, tregon ajo.

Drejtoresha, na tregon edhe programet ri-socializuese dhe trajnimet për dhunë në familje që bëhen këtu për të burgosurat.

Në certifikatat e lëshuara pas përfundimit të trajnimeve, Imeraj tha se nuk u figuron që është kryer trajnimi në burg por në ndonjë qytet.

“Trajnimet profesionale në përgjithësi që organizohen nga Qendra Korrektuese Lipjan janë trajnerët e certifikuar dhe licencuar që mbaje trajnimet në qendrën tonë edhe certifikata e tyre kur ju lëshohen nuk ju figuron që janë kryer në burg por figuron që janë kryer në qendrat e trajnimeve profesionale në qytetin më të afërt”, thotë Imeraj.

Këto aksesorë prej filigrani të vendosura në raftin e zyrës së drejtoreshës janë krijuar nga të burgosurat./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Shpërndaje në rrjete sociale