Rritet interesimi i turistëve të huaj për Kosovën, ja sa e vizituan vetëm gjatë shkurtit

22:34 | 8 Prill 2026
R J

Numri i vizitorëve të huaj është rritur gjatë muajit shkurt të këtij viti. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave  të Kosovës (ASK), vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, Kosovën e vizituan 32 mijë e 228 vizitorë të jashtëm, e që i bie rritje prej 16.1 përqind më shumë se sa të njëjtën periudhë të vitit paraprak, pra muajit shkurt të vitit 2025, ku numri i vizitorëve të huaj ishte 27 mijë e 769.

Nga 32 228 vizitorë të huaj të cilët e vizituan gjatë shkurtit Kosovën, numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj.

Ndryshe sipas të dhënave të ASK-së në shkurt 2026, numri i vizitorëve në hotele ishte 56 644, prej tyre vizitorë vendorë ishin 24 416 dhe vizitorë të jashtëm ishin 32 228. Krahasuar me muajin shkurt të vitit 2025 (sa ishin 51 795 vizitorë) pati rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 9,4 %.

Ndërkaq numri i net-qëndrimeve ishte 112 367, prej tyre 60 513 (53,8 %) nga vizitorët e jashtëm dhe  51 854 (ose 46,1 %) nga vizitorët e brendshëm.