Google ADS

Rritet interesimi i kosovarëve për t’i pajisur qentë e tyre me pasaporta

11:02 | 27 Nëntor 2022
A Z

Trendi i mbajtjes së qenve brenda në shtëpi si dhe udhëtimi me ta jashtë vendit është bërë shumë i përhapur edhe në Kosovë.

Tani, ata që i posedojnë këto kafshë mund ti marrin me vete edhe kur kalojnë kufijtë. E për të lëvizur, atyre nuk u duhet vizë.

E gjithë kjo pasi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka nisur identifikimin e qenve me pronar, duke i pajisur me pasaporta. Pasaportë kjo e cila tregon të gjitha informatat për qenin kur udhëton jashtë vendit.

Zëdhënësi i AUV-it Lamir Thaçi thotë se qenve do t’u vendoset nga një çip që synon që të njëjtit të jenë nën kontroll.

“Sa i përket kësaj qeni duhet të jetë i identifikuar, dhe regjistruar sipas akteve ligjore ne fuqi, të ketë pasaportë të Republikës se Kosovës si dhe te jetë i vaksinuar kundër sëmundjes se tërbimit. Ligji për përkujdesje ndaj kafshëve e rregullon ne mënyre të përgjithshme mbajtjen e qenve. Jemi në procedura të përgatitjes edhe të akteve nënligjore që e rregullojnë një gjë të tillë. Pasaporta është dokument unik, i cili tregon te gjitha informata për qenin, si numri i mikroçipit, të dhënat e pronarit, vaksinat. Pra të gjitha informatat e qenit në rastet kur del në rrugë apo udhëton jashtë vendit”, tha ai.

Sipas Thaçit, regjistrimi i qenve është obligim ligjor, si dhe kjo e lehtëson kontrollin ndaj qenit.

“Regjistrimi i qenve është obligim ligjor. Pra çdo qen me pronar duhet te jete i identifikuar dhe regjistruar. Ne jemi duke aplikuar praktikën e të gjitha vendeve tjera. Identifikimi dhe regjistrimi i qenve tregon saktë numrin e qenve që ndodhen në Kosovë. Secili qen qe largohet nga shtëpia, pra i humbet pronarit, mikroçipi është ai qe tregon adresën e sakte se nga vije ai qen. Pra me këtë rast ju kthehet pronarit të qenit”, thotë Thaçi.

Tutje ai thotë se deri më tani nuk dihet se sa është numri i qenve të regjistruar.

“Regjistrimi vetëm sa ka filluar, e mira është se çdo ditë jemi duke marr raporte nga terreni mbi numrin e qenve te regjistruar. Numri i qenve të regjistruar dita ditës po rritet. Duhet të kaloj një kohë që të dhënat të përpunohen në sistem, pas një periudhe kohore ne do ti publikojmë të dhënat”, shton ai.

A.N nga Prishtina kohën më të madhe të saj e kalon me Rikin qenin të cilin ajo e mban.

Ajo tregon se qenin e saj e ka regjistruar dhe ka pasaportën më të dhënat e tij që disa muaj.

“E kam regjistru qenin dhe ka pasaportën e tij më të dhënat e tij që disa muaj. Edhe çipin e ka me këtë pasaportë e bën verifikimin e vaksinave dhe identifikimin e qenit. Me të gjitha këto edhe mund të udhëtojmë jashtë vendit.”, tha ajo.

Se këto rregulla duhet të plotësohen, thonë për arbresh.info edhe nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Sipas ambasadës kjo pasaportë është një dokument që përputhet me një model standard të BE-së, dhe është e vlefshme për sa kohë që vaksinimi i kafshës është i vlefshëm.

“Rregullat e udhëtimit Pasaporta e BE-së për kafshë shtëpiake është një dokument që përputhet me një model standard të BE-së dhe është thelbësor për udhëtimet midis vendeve të BE-së. Ai përmban një përshkrim dhe detaje të kafshës suaj, si mikroçipin ose kodin e tatuazhit, dëshminë e vaksinimit kundër tërbimit dhe detajet e kontaktit të pronarit dhe veterinerit që ka lëshuar kartën. Ju mund të merrni një pasaportë të BE-së për kafshët shtëpiake për qenin, tuaj nga çdo veteriner i autorizuar (i miratuar nga autoritetet përkatëse për të lëshuar pasaporta për kafshët shtëpiake). Pasaporta e BE-së për kafshët shtëpiake është e vlefshme për gjithë jetën për sa kohë që vaksinimi i tërbimit të kafshës suaj është i vlefshëm,”, kanë thënë nga ambasada Gjermane për arbresh.info

Kujtojmë se nga 12 nëntori i këtij viti, ka filluar regjistrimi dhe pajisja e qenve me mikroçip dhe pasaportë. Sipas AUV të gjitha shërbimet ofrohen falas, përfshirë këtu edhe kastrimin/sterilizimin e qenve./Vjollca Gajraku/ arbresh.info/

Kështu duket një pasaportë për qentë

Të ngjashme