RrGK përgëzon KQZ-në për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

16:26 | 16 Shkurt 2021

Kryetarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Ariana Qosaj-Mustafa së bashku me Drejtoren Ekzekutive të RrGK-së, Igballe Rogova sot vizituan Komisionin Qendor të Zgjedhjeve (KQZ), ku u takuan me Kryetaren e këtij institucioni, Valdete Daka.

“Përfaqësueset e RrGK-së kanë uruar KQZ-në për punën e suksesshme të bërë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021. Duke qenë se këto janë zgjedhjet e para të mbajtura pa ndihmën dhe mbikëqyrjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), RrGK ka përgëzuar KQZ-në për mbarëvajtjen e këtij procesi, duke përfshirë këtu si votimin po ashtu edhe numërim e deritanishëm të votave”, njofton RrKG, shkruan arbresh.info.

KQZ ka vlerësuar punën e bërë ndër vite nga RrGK lidhur me rritjen e pjesëmarrjes së grave në procese politike dhe vendimmarrëse si dhe fushatat vetëdijësuese përmes së cilave u bë thirrje që të votohen më shumë gra në zgjedhje.

Përgjatë këtij takimi, RrGK dhe KQZ u zotuan ta vazhdojnë bashkëpunimin e deritanishëm.

RrGK vlerëson zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë jetike të secilit prej nesh, andaj vazhdimisht është angazhuar që qytetarëve t’u jepen mundësi të barabarta në pjesëmarrje në zgjedhje si dhe në përfaqësim në institucione./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara