Rrezikohen shërbimet për fëmijët me sindromën down shkaku i financave

09:04 | 16 Gusht 2020
Arbresh.info

Vështirësitë që ka sjellë pandemia Covid 19, ka prekur edhe Organizatën Down Syndrome Kosova.

Kujdesi ndaj këtij komuniteti në këtë kohë është dashur të jetë edhe më i madh për shkak të imunitet të dobët që kanë këta persona.

Drejtoresha Ekzekutive e Organizatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini- Beqiri, në një intervistë për arbresh.info ka rrëfyer vështirësitë që ka kaluar kjo organizatë për t’i ruajtur këta persona nga virusi e po ashtu edhe vështirësitë financiare.

“Efektet e pandemisë kanë pas ndikim në të gjitha aktivitetet e qendrës doën syndrome Kosova, apo në përditshmërinë e punës që ka organizata jonë. Që nga muaji mars i kemi ndalu të gjitha shërbimet fizike që ofrojmë për anëtarët duke përfshirë fëmijët dhe të rinjtë me sindromën down, ndërsa që nga muaji prill kemi filluar me shërbime virtuale për antarët tanë”, ka thënë Hajdini-Beqiri. 1:04

Pavarësisht se nuk është e lehtë as për prindërit e personave me Syndromen Down, ajo thotë se është menaxhuar shumë mirë situata gjatë mbylljes me këta persona.

“Ne vazhdimisht jemi në kontakt me prind, vazhdon të jetë e vështirë, sepse situata nuk është duke u përmirësuar. Mirëpo edhe prindërit janë munduar që ta menaxhojnë këtë situatë, e cila nuk është e lehtë jo vetëm për komunitetin Syndrome Down”, ka thënë Hajdini-Beqiri

Ajo po ashtu ka tregua nëse ka pasur persona me Down Syndrom që janë prekur me Covid 19.

“Fatmirësisht deri më tani nuk kemi asnjë  person me Syndromen Down, i cili është i prekur me Covid 19, sepse ne vazhdimisht jemi munduar t’i vetëdijsojmë edhe prindërit mbi imunitetin e dobët që e kanë personat me Down Syndrome dhe kjo është arsyeja më e madhe që ata të preken nga virusi”, ka bërë të ditur Hajdini Beqiri.

Por atyre nuk po u mungojnë trajnimet të cilat i kanë marrë edhe më parë, pasi që po u ofrohen edhe në mënyrë virtuale nga terapeutistët e organizatës.

“Tash qe një periudhë terapeutistët janë duke punuar nga shtëpitë, ofrimin e shërbimeve po e bëjnë në mënyrë virtuale, ndërsa në qendrat tona kemi vetëm menaxhmentin që punon nga zyra”, ka deklaruar Hajdini- Beqiri.

E nëse kjo situatë vazhdon të mbetet kështu dhe pa ndonjë ndihmë për shoqatën, ata rrezikohen t’i ndalojnë të gjitha aktivitetet në mungesë të fondeve. E të gjithë shpresën e kanë në kampanjën që e kanë nisur tani.

“Sa i përket krizës financiare që e ka shkaktu pandemia, kjo krizë ka lënë pasoja edhe në organizatën tonë. Në këto momente jemi në krizë për fonde dhe jemi të rrezikuar që shumë shpejt edhe t’i ndërpresim shërbimet. Është shumë sfiduese me siguru fonde, kemi fillu tash edhe një kampanjë e cila quhet “Mbështet zhvillimin e potencialit tim”, dhe jemi në kërkim të fondeve”, ka thënë Hajdini- Beqiri.

Kërkesë i kanë bërë dhe Kryeministrit, Ministrit të Punës dhe Ministres së Financave për gjendjen në të cilën ndodhen.

“I kemi njoftuar mbi të gjithë situatën dhe rrezikun që na kanoset për anulimin e shërbimeve. Mbesim me shpresën që personat përgjegjës t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të shohin se sa varet një person me down syndrome prej shërbimeve që ne ofrojmë”, ka thënë Hajdini- Beqiri.

Pavarësisht kërkesave, si në qeverinë e kaluar, po ashtu edhe në të tashmen, kjo shoqatë ende nuk ka arritur të marr përgjigje.

“Kërkesën e kemi dërguar prej kur ka filluar pandemia, ne kemi adresu kërkesa edhe tek qeveria e kaluar dhe qeverisë të tashme. Kemi dërguar kërkesën para një muaji. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, ka thënë Hajdini Beqiri./E.Haxhiu/arbresh.info/

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/2959712754151980/

Shpërndaje në rrjete sociale