Robertson nderohet në Kosovë

b030206b 6th February 2003 Press Point NATO Secretary General, Lord Robertson.

20:53 | 18 Janar 2016
M. A.

George Robertson do të qëndrojë për një vizitë në Kosovë, të martën, për t’u nderuar me një çmim dhe mirënjohje nga Presidentja e vendit Atifete Jahjaga.

Ish Sekretar Gjeneral i NATO’s në vitet 1999-2004, post ky në të cilin e kishte pasuar Javier Solana’n, Robertson njihet si një nga mbrojtësit e mëdhenj të ndërhyrjes ushtarake të Aleancës, si e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë.

Në kohën e luftës në Kosovë, ai ishte Ministër i Mbrojtjes në Britaninë e Madhe, ku kishte shërbyer nga viti 1997 deri më 1999.

Sot 70 vjeç, si një nga emrat që ka kontribuuar për paqen në Kosovë, Robertson do të dekorohet me medalje, në një ceremoni të veçantë, të martën.

Kjo nuk është hera e parë që ai viziton Kosovën.

Në vitin 2000, bashkë me Wesley Clark, ai kishte ardhur në Kosovë, ndërsa menjëherë pas kësaj vizite, në një shkrim autorial për Washington Post, kishte rikujtuar se si ndërhyrja e NATO’s ishte e domosdoshme dhe se komuniteti ndërkombëtar do të duhej të ishte i bashkuar. E nëse për këtë dikush kishte dyshim, ai ftonte për një vizitë në Poklek të Drenasit.

Duke u ndalur në një shkollë të rindërtuar në këtë fshat, që një vit më parë ishte shkatërruar nga forcat serbe, Robertson kishte dhënë mesazhet e tij të qarta.

“Kur paramilitarët e Slobodan Milosevic’it erdhën ne Poklek, 53 banorë vendorë, përfshirë 10 fëmijë, i mbyllën në një shtëpi, pastaj serbët gjuajtën brenda granata dore. Pastaj, e dogjën flakë shtëpinë dhe ata që ndodheshin brenda. Gati secila shtëpi në fshat u shkatërrua”.

“NATO i nxori jashtë forcat serbe, KFOR ‘i vendosi sigurinë. Familjet u kthyen në shtëpitë e tyre të nxira nga flakët e zjarrit dhe shenjat e plumbave në mure. Fëmijët filluan përsëri të ndjekin mësimin – në tenda. Por, mësimi në gjuhën amtare filloi për herë të parë pas dhjetë vjetësh”.

“Mesazhi për mua dhe gjeneralët e NATO’s, Clark dhe Reinhardt ishte i thjeshtë: NATO ishte shpëtimtari i tyre. Gëzimi i tyre ishte i sinqertë dhe buronte nga zemra, ashtu siç ishte edhe dhimbja e thellë në nderim të fotografive te 10 fëmijëve të vrarë”.

“Secili që ka dyshime në vendimin e drejtë për aksionet e NATO’s, ju them: shkoni ne shkollën e re të Poklekut, shikoni ato fotografi, dhe me thoni se NATO nuk e ndaloi një tragjedi të madhe. Ata që deklarojnë se misioni ndërkombëtar po dështon, le të shkojnë edhe ata në shkollën e Poklekut, le të flasin me ata fëmijë të bukur dhe le të më thonë se NATO nuk ka bërë ndryshime të mëdha”.

Ish Sekretari Gjeneral i NATO’s, po ashtu, kishte pohuar se forcat serbe po zbatonin politikë të qëllimshme të vrasjes, dhunimit dhe terrorit, se regjimi sundues digjte shtëpi, bombardonte qytete, ua mohonte popullatës shumicë të drejtat elementare për shkollim, shëndetësi dhe demokraci.

“Operacioni në Kosovë, i udhëhequr nga NATO, jo vetëm që ka qenë moralisht i drejtë, por mbetet thelbësisht i rëndësishëm për vetë sigurinë e Europës, shpeshherë e rrezikuar nga konfliktet në Ballkan”.

“Në Kosovë, të gjithë duhet të qëndrojmë së bashku – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet europiane. Nëse dikush ka ndonjë dyshim, vetëm le të shkojë në Poklek”, shkruante Robertson, në vitin 2000.

Robertson, siç mëson Politiko.net, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, gjatë ditës së nesërme, do ta takojë Presdidenten Atifete Jahjaha dhe Kryeministrin Isa Mustafa, do ta vizitojë Poklekun, si dhe do ta mbajë një ligjeratë në Kolegjin Universum.

Më poshtë, pamje nga vizita e tij në Kosovë, në vitin 2000. / Politiko.net

Shpërndaje në rrjete sociale