Rizvanolli: Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeverisjes sonë

13:37 | 5 Dhjetor 2025
Q L

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mohuar kategorikisht se ndonjë zyrtar i Qeverisë së Kosovës apo i Lëvizjes Vetëvendosje ka lidhje me kompaninë energjetike EFT.

Ajo gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se Kosova ka importuar energji elektrike nga kjo kompani, duke i cilësuar raportimet si të pavërteta dhe të fabrikuara.

Në një konferencë për media, Rizvanolli tha se këto spekulime kanë qarkulluar prej kohësh dhe janë intensifikuar javëve të fundit.

“Ju kam ftuar për të adresuar një sërë të pavërtetash që kanë qarkulluar që një kohë dhe kanë kulmuar gjatë javëve të fundit në lidhje me sektorin e energjisë. E para, po thuhet disi se Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje janë të lidhura me kompaninë EFT. Dua ta them qartë: asnjë zyrtar i Qeverisë dhe i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka asnjë lidhje me EFT-ën”, tha ajo.

Ajo shtoi se edhe pretendimi se Kosova ka importuar energji nga EFT është po ashtu i pavërtetë.

“Po thuhet se Kosova po importon nga EFT. Nuk ekziston asnjë fakt që Kosova ka importuar nga EFT gjatë qeverisjes sonë, edhe kjo është komplet gënjeshtër. E treta; po keqinterpretohen qëllimshëm të dhënat e ankandeve të kapaciteteve ndërkufitare, të cilat EFT i shfrytëzon për të bartur energjinë transit në shtete tjera përmes kufijve energjetikë të Kosovës, për të krijuar bindjen se Kosova po blen nga IFT që është pra komplet gënjeshtër. E katërta; po flitet për temën e importit të energjisë, thuajse është Qeveria ajo që blen energji. Në fakt, dua t’iu rikujtoj që Qeveria nuk blen energji fare, ndërsa pjesa dërmuese në Kosovë blihet nga KEDS dhe KESCO për furnizim dhe humbje në rrjet, respektivisht. Këto kompani, siç e dini, janë privatizuar, para se më dhjetë vjetësh”, tha ajo.