Rezoluta e AAK-së për Haradinajn nuk gëzon mbështetje të partive tjera

Former Kosovo Prime Minister Ramush Haradinaj (C) stands in the Colmar courthouse, flanked by his lawyers Rachel Lindon (3rd L) and Dominique Bergmann (R), during his extradition hearing on February 9, 2017. Haradinaj was arrested in France in January under an international warrant issued by Serbia, which wants him tried for alleged war crimes committed during the 1990s conflict. / AFP PHOTO / SEBASTIEN BOZON

15:59 | 6 Mars 2017
Gita

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të mërkurën për të dytën herë do të procedojë në Kuvendin e Kosovës rezolutën për ndalimin e Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti.

Shef i Grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj,  ka thënë për Arbresh.info se rezoluta për Ramush Haradinajn do të procedohet të mërkurën në Kuvend dhe duhet të diskutohet, sepse debati i shumtë është kryer në Kuvend dhe se nuk ka pasur asnjë rezolutë të miratuar.

Lekaj beson shumë që kësaj here rezoluta do të përkrahet unanimisht.

“Mendoj që kësaj here do të jemi unik dhe do ta miratojmë rezolutën në mënyrë që sa më shpejt z Haradinaj  të lirohet, të pezullohen bisedimet me Beogradin deri në lirimin e Haradinajt dhe pastrimin e listave nga Interpoli”, është shprehur Lekaj.

Ndërsa zyrtarë të  Nisma për Kosovën, vlerësojnë se një rezolutë nuk mjafton për Haradinajn.

Sekretari i Nisma’s për Kosovë, Bilall Sherifi, thotë se “Nisma”, mbështet çfarëdo iniciative që çon në drejtim të marrjes seriozisht të shtetit të Kosovës me çështjen e Haradinajt.

“Ne mendojmë dhe kërkojmë që shteti i Kosovës që rastin e Ramush Haradianjt t’a shpall çështje të interesit të lartë shtetëror, dhe konform këtij vendimi të merren të gjitha masat e nevojshme që i takojnë një shteti për të mbrojtur një ish-kryeministër, një ish-drejtues të luftës, sidomos duke pasur parasysh që kjo është një luftë e Serbisë për të njollosur edhe Kosovën edhe luftën  e saj çlirimtarë”, është shprehur Sherifi për Arbresh.info.

Ndërsa dy partitë tjera, PDK dhe Vetëvendosje nuk kanë dashur të deklarohen rreth kësaj çështje pa e parë përmbajtjen e rezolutës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka thënë Arbresh.info se nuk ka kurrfarë informate rreth kësaj rezolute.

“Nuk kam kurrfarë informate zyrtare as për rezolutë dhe po mbahem i rezervuar. Kur të kem diçka të tillë, unë bisedoj me grup dhe pastaj e bëjmë një qëndrim publik”, është shprehur Pajaziti.

Njëjtë si PDK, edhe zyrtarë të VV-së i kanë thënë Arbresh.info se Vetëvendosje nuk deklarohet nëse do ta përkrahë apo jo rezolutën pa e parë përmbajtjen e saj.

Ndryshe, me 10 janar të këtij viti, AAK pati proceduar në Kuvend rezolutën për Ramush Haradinajn, por përkundër diskutimit 11 orësh në seancën e jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës nuk pati arritur të miratojë rezolutën për ndalimin e kryetarit të AAK-së në Francë.

Dy rezolutat e prezantuara për ndalimin e ish komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, një e sponsorizuar nga AAK dhe e mbështetur nga Vetëvendosje dhe Nisma, dhe tjetra e prezantuar nga grupet parlamentare PDK-LDK, nuk patën arritur të marrin votat e nevojshme.

Haradinaj është ndaluar në janar të këtij viti në Francë, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia./ Arbresh.info/ Gita Lushi

 

Shpërndaje në rrjete sociale