Qosja e quan Ramën politikani më i suksesshëm në 30 vitet e fundit, për Kurtin thotë se e ka kujtesën e një biblioteke

14:13 | 27 Shtator 2021

Rexhep Qosja është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar.

Ai nuk ka kursyer lavda për dy kryeministrat shqiptarë Edi Rama dhe Albin Kurti.

“Ndjehem i privilegjuar që kryeministri Rama më nderoi me Yllin e Mirënjohjes Publike. Rama është njëri prej politikanëve më të suksesshëm të Shqipërisë në këto 30 vitet e fundit të ndërtimit të demokracisë në Shqipëri, që ka sjellë zhvillime të reja në jetën politike e shoqërore. Ai është edhe intelektual krijues, piktor dhe shkrimtar. Jam i privilegjuar që ky nderim mu bë në Prishtinë. Edhe Albin Kurti është prej intelektualve të veçantë, duhet ta dëgjojmë në çdo paraqitje për të parë e për t’u bindur se Albin Kurti ka një memorie të jashtëzakonshme në të cilën janë përmbledhë të dhëna sa një bibliotekë, të dhëna mbi gjeografitë, krijimtarinë letrare, filozofinë e shkencave të ndryshme. Prej fjalimeve të tij edhe mund të mësohet. Rama e Kurti janë politikanë intelektual të çmuar prej popullit dhe u pa në zgjedhjet e fundit ku populli ua dha besimin. Janë edhe të kritikuar me arsye por shumë më shpesh pa arsye”, është shprehur Qosja pasi mori ‘Yllin e Medaljes së Kryeministrit’, që ju nda nga Edi Rama.

Ky i fundit e ka quajtur Rexhep Qosjen “një shqiptar i madh dhe një shpirt njerëzor”.

“Është nga të fundit vigan, dhe mendimtarë ka vazhduar të dëgjohet si zë kumbues i arsyes. Është nderë për intelektin të kemi një shembull kaq frymësues. Faleminderit që ekzistoni për të gjithë ne, fëmijët e fëmijëve tanë, fëmijët e Kosovës e të Shqipërisë”, është shprehur Rama.

Ceremonia është mbajtur në prani të delegacioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, takim i organizuar në periferi të Prishtinës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara