Qeveria synon pjesëmarrje në termocentralin “Kosova e Re”

19:27 | 13 Korrik 2015
M. A.

Marrëveshja e re mes Kosovës dhe FMN-së që i jep të drejtën vendit tonë të rrisë nivelin e borxhit publik për investime, do t’i mundësojë qeverisë që të hyjë si bashkë investuese në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

Një hap i tillë, sipas zyrtarëve qeveritarë do të ndërmerret për të parandaluar rritjen e madhe të çmimit të energjisë që mund të vijë si pasojë e investimit privat, raporton KTV.

Ai ka bërë të ditur se palët negociuese ende nuk kanë arritur të gjejnë marrëveshje sa i përket normës së kthimit të investimeve.

Contour Global kishte kërkuar në fillim 25% të kthimit brenda një viti, por kjo ishte kundërshtuar nga pala kosovare.

Megjithatë, ministri Stavileci ka shprehur besimin se nënshkrimi i kontratës do të ndodhë në fund të vitit, kurse fillimi i punimeve nga mesi i vitit që vjen.

Kohavisioni ka arritur të shohë disa dokumente, sipas të cilave Kosova ka propozuar që niveli i kthimit të investimeve të mos e kalojë 10%, përderisa propozimi i Bankës Botërore është që niveli të jetë në 15%.

Mirëpo, Stavileci nuk ka dhënë detaje për këto çështje, me arsyetimin se ende janë në biseda për arritjen e një marrëveshjeje.

Ai ka bërë të ditur se numri i kompanive që janë të interesuara të hyjnë për ndërtimin e termocentralit është i madh dhe në këtë mes edhe kompanitë gjermane, si Siemens, Alstom dhe Bilfinger, e cila ka shprehur interesimin të hyjë në rindërtim edhe të Kosovës A.

“Contour Global” që ka qenë e vetmja që ka dhënë ofertë për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ka parashikuar që 30% të vlerës ta mbulojë nga kapacitetet financiare të vetat, 70% nëpërmes financimit nga kreditë, transmeton Koha.net.

Sipas planit, nëse përfundon procesi deri në fund, atëherë kapacitetet prodhuese energjetike nga Termocentrali Kosova e Re do të ishin 600 megavatë.

Shpërndaje në rrjete sociale