Qeveria shuan Task-forcën anti-korrupsion në Policinë e Kosovës

16:53 | 19 Tetor 2020
Gita

Një nga vendimet e sotme në mbledhjen  e Qeverisë së Kosovës, është edhe shfuqizimi i vendimit për themelimin e Task-Forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës.

Me votat e anëtarëve të Qeverisë është shfuqizuar vendimi i Qeverisë Nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010”, i cili vendim kishte themeluar Task-Forcën antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi,  ka shprehur nevojën që të shikohen të gjeturat për këtë Task-Forcë.

Ai konsideron se shfuqizimi i menjëhershëm ka potencial t’i dëmtojë disa prej rasteve që janë në hetim e sipër.

Ndërsa kryeministri Avdullah Hoti ka  thënë se ky propozim-vendimi i ndan pushtetet, raporton arbresh.info.

Hoti ka thënë se mandati i EULEX-it ka ndryshuar dhe se vendimi i hapë rrugë institucioneve që të punojnë në përputhje me ligjet përkatëse.

Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.

Punën e kësaj Task-force e ka lavdëruar edhe misioni i EULEX-it, duke thënë se kanë kryer shumë punë gjatë funksionimit të saj.

Ndryshe, ndër pikat e rendit të ditës të cilat u miratuan në mbledhjen e sotme të ekzekutivit është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për miratimin e planit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator./arbresh.info/