Qeveria shpreson në votat e Listës Serbe dhe opozitës për të kaluar demarkacionin

09:55 | 24 Nëntor 2016
M. A.

Qeveria e Kosovës, shpreson në votat e Listës Serbe apo një pjesë të opozitës për të kaluar projektligjin për demarkacion me Malin e Zi. Në Qeveri e pranojnë se si koalicion nuk i kanë votat për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila është kriter për liberalizimin e vizave.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Mustafa thotë se edhe nëse e votojnë të gjithë deputetët e koalicionit PDK-LDK demarkacionin, ato janë të pamjaftueshme për të kaluar demarkacionin.

“Ne aktualisht nuk i kemi votat për të kaluar demarkacionin. Votat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së nuk mjaftojnë për të kaluar demarkacionin. Ne duhet t’i sigurojmë votat e Listës Serbe ose një pjesë të opozitës për të kaluar sepse përndryshe me gjithë votat tona nuk mund të ratifikohet kjo marrëveshje”, ka thënë Gecaj për  ‘Indeksonline’.

Gecaj i cili është edhe zv/ministër i Pushtetit Lokal, thotë se kjo marrëveshje nuk do të procedohet për Kuvend, për sa kohë qe nuk sigurohen 80 vota.

“Nuk ka logjikë me procedu në Kuvend diçka qe nuk mund ta kalosh. Ne do të punojmë qe t’i sigurojmë votat dhe ta kalojmë. Ne do të bëjmë çmos qe demarkacioni të ratifikohet sa më parë”, ka shtuar ai.

Përpjekjet e qeverisë, sipas tij, janë qe në dhjetor të kalohet kjo marrëveshje pasi, nëse shtyhet për vitin tjetër, kjo sipas tij, do të jetë problem.

“Disa shtete evropiane do të shkojnë në zgjedhje dhe pastaj do të jetë edhe më problem. Dhjetori është afati i fundit për të mos humbur shpresat për liberalizim. Nëse mbetet për vitin e ardhshëm do të kemi probleme”, ka theksuar ai.

Qeveria, sipas tij, i ka bërë ftesë të hapur opozitës qe të ulën dhe të merren vesh për çështjen e demarkacionit.

Shpërndaje në rrjete sociale