Qeveria e risjell për miratim projektligjin për produktet bazë, Kurti: Garanton çmime të përballueshme për qytetarët

10:37 | 3 Prill 2026
E.K

Projektligji për masat mbi produktet bazë në treg të destabilizuar është risjellë sot për miratim në mbledhjen e Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti tha se ky ligj synon të sigurojë furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë gjatë krizave, duke parandaluar fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve.

“Që prej vitit 2020 kur filluam të qeverisnim jemi përballur me sfida të mëdha globale, secilës prej tyre i jemi përgjigjur me seriozitet e përgjegjësi dhe kemi ndihmuar secilën kategori shoqërore, natyrisht ata që kanë më shumë nevojë. Kemi nisur edhe iniciativën për çmimet tavan për të evituar fryrjen artificiale të çmimeve. Ky ligj u pat sfiduar në Kushtetuese nga ana e opozitës. Ja ku jemi shumë muaj më pas me kriza të reja, që prekin edhe xhepin e qytetarëve tanë. Po e risjellim për miratim këtë projektligj sot. Me këtë ligj nuk po hyjmë në tregun e lirë, por po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë në kohë krize, parandalon fitimet e pajustifikuara në kurriz të qytetarëve dhe për herë të parë krijohet mekanizmi i pavarur, bordi i cili vendos mbi bazën e të dhënave e interesit publik e kurrsesi mbi interesat e ngushta”, tha Kurti.