Pushteti akuzoi Prokurorinë për arrestimin e drejtorit të KEK-ut, reagon ashpër KPK-ja

11:09 | 20 Prill 2023
Emir Abduramani

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka kundërshtuar fuqishëm deklaratat e djeshme të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, të cilët e akuzonin prokurorinë në lidhje me arrestimin, sipas tyre të padrejtë, të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Në një komunikatë për media, deklaratat e eksponentëve të VV-së, KPK-ja i ka quajtur si gjuhë të papranueshme dhe tendencioze.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kundërshton fuqishëm dhe shpreh indinjatë të thellë ndaj deklaratave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë përdorur gjuhë të papranueshme dhe tendencioze lidhur me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), z. Blerim Isufaj”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Sipas tyre, pushteti po mundohet të ndikojë politikisht në sistemin prokurorial, me gjuhë të papërshtatshme ndaj kryetarit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.

“Këshilli Prokurorial vlerëson se, deklaratat e tilla, siç ishte ishin ato të djeshmet, janë në kundërshtim të plotë me ndarjen e pushteteve dhe përbëjnë ndërhyrje flagrante dhe të drejtpërdrejtë në punën e Gjyqësorit, përkatësisht të institucionit të Prokurorit të Shtetit, ngaqë puna dhe angazhimi i të gjithave, përfshirë edhe PSRK-në , burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit, e jo nga vullnetet politike, grupet e interesit dhe individët e caktuar”, thuhet në komunikatën e KPK-së.

Tutje, ata kanë thënë se i qëndrojnë prapa secilit vendim të PSRK-së dhe nuk do tolerojnë sulmet ndaj prokurorëve të tyre.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se qëndron plotësisht prapa punës së mirëfilltë dhe shumë profesionale të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prapa punës dhe angazhimit të prokurorëve të PSRK-së dhe në asnjë rast nuk do të tolerojë denigrimet dhe atakimet qëllimkëqija ndaj angazhimeve dhe përkushtimit të bartësve të sistemit prokurorial”, thuhet në reagimin e këtij institucioni.

Në përmbyllje të këtij reagimi, KPK-ja risjellë në vëmendje kujtdo që tenton të cenojë punën e kësaj prokurorie dhe Kryeprokurorit të saj, Blerim Isufaj, si dhe përgjithësisht punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit se, pushteti gjyqësor dhe prokurorial është i veçantë, me institucione kushtetuese, të pavarura dhe të paanshme, të cilat kryejnë detyrën e tyre në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke u bazuar gjithnjë në prova dhe fakte.

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, u arrestua dje nga Krimet Ekonomike, me urdhër të PSRK-së, për keqpërdorim të një tenderi zyrtar.

Ndryshe, Krasniqi është i sjellur drejtpërdrejtë nga Kurti në pozitën e drejtorit të KEK-ut, si “shpërblim” për punën dhe angazhimin disa vjeçar në VV./Arbresh.info