Punëtorët e “Pastrimi” ndihen të nënvlerësuar nga Komuna: Qentë po i trajtojnë më mirë se ne

14:36 | 23 Maj 2025
E.K

Edhe sot, për të dytën ditë me radhë, punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë vazhduar grevën e tyre të nisur për shkak të gjendjes së rënduar financiare të ndërmarrjes.

Ndryshe nga dje, ata sot kanë ngritur një tendë në oborrin e Komunës së Prishtinës, ku po qëndrojnë për të bërë të dëgjueshëm zërin e tyre, raporton Arbresh.info.

Tash e 27 vjet punon në kompaninë “Pastrimi”, punëtori Faik Leposhtaku, në një prononcim për Arbresh.info, shprehu zhgënjimin e thellë ndaj mënyrës si po trajtohen punëtorët.

“Sot është dita e dytë greva ka vazhduar edhe ndërrimin e natës, dje kemi vazhduar nga ora 7 në mëngjese dhe deri në tre e gjysmë të natës kam qëndruar këtu, pa shkuar në shtëpi hiq. Çfarë kanë këta mosmarrëveshje duhet të ule të bisedojnë dhe jo me i bart pasojat na dhe qytetarët. Greva përfundon deri sas ti plotësojnë kushtet, kur t’i plotësojmë kushtet ne e vazhdojmë punën. Kjo krejt varet nga Komuna. Deri dje ne quajtën heronj tash jemi askush. Neve nuk po na bënë hesap askush. Sa vlejmë na e din Përparim Rama, ka shku i ka vizitu qenet në Butovc, ma vlerë kanë qenët në Butovc të atij, sesa na punëtorët e pastrimit që heqim, kurse ne nuk kemi vlerë. Ata nuk po na respektojë hiq dhe jemi të detyruar të dalim këtu”, tha ai.

Ndërkaq, sot Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka konfirmuar nënshkrimin e kontratës me komunën e Prishtinës për mirëmbajtjen e hapësirave publike, por se kjo nuk e zgjidh problemin thelbësor të largimit të mbeturinave nga qyteti./Arbresh.info/

Të ngjashme