Punëtorët e arsimit kërcënojnë me greva pas pushimit pranveror

17:59 | 7 Prill 2017
Gita

Sindikalistët e Arsimit kanë paralajmëruar se do të hyjnë në grevë nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre të cilat edhe më herët janë bërë publike.

Ky paralajmërim për institucionet e Kosovës nga SBASHK-u vjen në rast se Qeveria nuk finalizon ligjin me anë të cilit mësimdhënësve të Kosovës që kanë punuar gjatë viteve të okupimit.

Në një konferencë për media drejtuesit e SBASHK-ut kanë thënë se nëse këto kërkesa të cilat qe disa herë janë duke i bërë publike janë të detyruar që të ndërmarrin veprimet e tyre sindikale.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj shpreson se do të marrin një përgjigje pozitive nga institucionet lidhur me këtë ligj.

Ai tha se i kanë dhënë afat institucioneve dy javë në mënyrë që ligji të finalizohet. Ndërsa Jasharaj sqaroi se kësaj radhe veprimeve të tyre iu kanë bashkangjitur edhe punëtorët e Universitetit të Prishtinës.

“Përfaqësuesit e të gjitha komunave dhe të Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve tjera votuan dhe unanimisht i dhanë të drejtë dhe autorizim kryetarit të SBASHK-ut se nëse edhe javën pas pushimit, sot e dy javë nuk marrim dokument se ligji për vitet e 90-ta është finalizu, është formësu nga dy zyret e MASHT-it dhe Ministrisë së Punës, nuk na thirrin të na tregojnë se janë të gatshëm për nënshkrimin e kontratës së re, atëherë ne kemi autorizim, nuk do ta thirrim më Këshillin Drejtues, përmes një takimi për media do t’i shpallim veprimet sindikale. Ne kemi traditë që të fillojmë me mosmbajtjen e një ore, pastaj kalojmë në veprime të tjera, apo mbase do të kemi kërkesë nga tereni dhe do të kalojmë menjëherë me grevën e përgjithshme në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës” , tha Jasharaj.

Sipas tij me anë të këtij ligji janë kategorizuar  pagat e mësimdhënësve që kanë punuar në vitet e nëntëdhjeta, e që ata që kanë punuar prej 1 deri në 5 vjet  do të paguhen me 65 përqind  e pagës, ndërsa ata që kanë punuar mbi 5 vjet e do të paguhen me 75 përqind të pagës bazë.

Jasharaj u shpreh optimist se ligji do të finalizohet dhe nuk do të ketë probleme në këtë çështje.

 “Duke parë se shteti ynë gjegjësisht qeveritë lokale nuk po reagojnë pozitivisht në realizimin e obligimeve që i kanë, e kam fjalën për tri paga me rastin e pensionimit dhe të tri paga suplementare, SBASHK-u ka përgatitë lëndët dhe të gjitha janë në gjykata. Kemi filluar me Vushtrrinë dhe është mbajt seanca e parë dhe kemi edhe raste tjera individuale ku ne po i fitojmë rastet. Besoj se deri në qershor, të punësuarit në arsim që janë të pensionuar në vitet 2015-2016 do të dalin fitues, edhe SBASHK-u do të del fitues, dhe ata tani do t’i marrin, jo vetëm tri paga por do t’i marrin tani gjashtë paga”, tha ai.

Ndërsa Ymer Ymeri, menaxher financiar i SBASHK-ut, tha se për herë të tretë Ligji është kthyer nga Qeveria në Ministrinë e Arsimit për t’u rishqyrtuar edhe një herë, por që siç tha ai kjo punë është zgjatur bukur shumë.

Ai tha se ministri i Arsimit ka premtuar se kjo punë do të zgjidhet në shkurt ndërsa tash kanë hyrë në prill edhe nuk ka asgjë në këtë drejtim.

Edhe ai tha se durimi i mësimdhënësve i ka ardhur fundi dhe nëse nuk ka përgjigje pozitive do të ketë greva.

Shpërndaje në rrjete sociale