Punëtorë e të papunë bashkë për argëtim

19:29 | 1 Maj 2016
M. A.

Ai punon si pastrues dhe ka rrogën nën nivelin e mesatares që është e përcaktuar në Kosovë. Bashkë me disa shok ai ia kishte mësyer sot Gërmisë. Driton Bajrami nga Gjilani, sot e ka pushim e në vend të protestës kishte vendosur të festojë.

Parku i Gërmisë për të do të ishte sot moment kënaqësie e jo vend ku do të kërkonte të drejta për punëtorët.

Për Driton Bajramin më mirë është të festohet se sa të protestohet.

 

“Mirë kemi kaluar deri pak më vonë, që mori shi, shumë….Ma mirë është me dal me u knaq, me festu”, tha ai.

Kushtet jo të mira të punës dhe shkeljet e ndryshme të të drejtave të punëtorëve, nuk e kanë shtyrë të protestojë as një qytetarë tjetër, i cili po ashtu u gjend sot në Gërmi bashkë me bashkëshorten e tij.

Madje ai nuk pati kohë as të prezantohet.

 

“ Po, në minierë.. Deri diku… Kish bë me protestu, amo jemi dal sot me u kënaq”, tha ai.

Pos tyre në parkun e Gërmisë kishin dal sot edhe qindra fëmijë, të rinj, e pleq, që të gjithë duke festuar.

Pranë tyre u gjend edhe një pensionist që viziton Gërminë çdo të diell. Pensionisti Xhevdet Kupleci , ish – punëtor në “Rilindje”, shprehu pakënaqësitë me kushtet e punëtorëve në Kosovë dhe tha se është dashur të protestohet, e jo të festohet.

“ S’kanë kushte, nuk kanë mundësi, pronarët i shfrytëzojnë punëtorët sa të munden… Me protestu duhet e jo festu sepse nuk kënaq çka të festojnë”, tha ai.

Shyhrie Gerbeshi është e mendimit të njëjtë që sot në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve është dashur të protestohet, por sipas saj, shoqëria kosovare është e paorganizuar.

“ Fare nuk jam e kënaqur, aspak sepse pagesa është shumë e ultë, për sa punojmë pagesë nuk kemi fare. Por, më mirë është të protestojmë se sa të punojmë…. Kështu është çdo vit, por ne si qytetarë vetë nuk jemi të organizuar, se më mirë kishte me qenë me protestu”, tha ajo.

E që parku i Gërmisë të jetë sa më i përshtatshëm për qytetarët që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës, ishte kujdesur komuna e Prishtinës.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, tha se gjatë tërë ditës ka pasur ekipe të cilat janë kujdesur që të jenë kushte sa më të përshtatshme për qytetarët.

Ai, tha se gjatë natës së kaluar ka pas disa raste ku shitësit ambulant kanë tentuar t’i vendosin mallrat e tyre në Gërmi, mirëpo që janë larguar nga inspekcioni.

 

“Ka pas inspektor të mjaftueshëm për kontroll të ushqimit, cilësisë, hapësirës së lejueshme. Kanë qenë në dispozicion dhjetëra punëtorë, ka pas makineri në dispozicion, e kanë mbajt gjelbërimin në gjendje të mirë gjatë gjithë kohës, mjaftueshëm ka qenë e angazhuar edhe policia dhe gjithçka ka qenë në dispozicion… Po, thuajse të gjithë janë pajisur më leje. Ka qenë i përcaktuar, i rezervuar parkingu i veçantë për këtë destinim. ”, tha ai.

E për më shumë Komuna e Prishtinës është kujdesur që brenda hapësirave të parkut të Gërmisë të ndalojë edhe qarkullimin e veturave.

Shpërndaje në rrjete sociale