Një grup aktivistësh, Kolektivi Feminist dhe iniciativa “Përpjekja”, kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, protesta do të mbahet këtë të premte, duke filluar nga ora 13:00, pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa marshimi do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Organizatorët e protestës shprehen se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë rritur në baza vjetore, duke e rënduar barrën financiare të qytetarëve. Ata akuzojnë KEDS-in për kërkesa të vazhdueshme për shtrenjtim të energjisë, ndërsa ZRrE-në e konsiderojnë përgjegjëse për miratimin e këtyre kërkesave.
Sipas deklaratës, qytetarët e Kosovës po detyrohen të paguajnë jo vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet, keqmenaxhimin dhe gabimet e operatorit energjetik. Aktivistët theksojnë se, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, qytetarët vazhdojnë të përballen me ndërprerje të energjisë, mungesë të ngrohjes gjatë dimrit dhe shtrenjtim të përgjithshëm të jetesës.
Ata përmendin edhe rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po përgatitet një tjetër rritje, e cila, sipas tyre, mund të shkojë deri në 20 për qind.
Organizatorët akuzojnë KEDS-in se përfiton nga puna e punëtorëve të KEK-ut, duke blerë energjinë me çmim të ulët dhe duke ua shitur qytetarëve me çmime shumëfish më të larta. Sipas tyre, kjo situatë po thellon varfërinë dhe po dëmton mirëqenien e qytetarëve.
Në kuadër të protestës, organizatorët kanë paraqitur dy kërkesa kryesore: refuzimin e menjëhershëm të kërkesës së KEDS-it për rritje të çmimeve dhe nisjen e procesit për rikthimin e KEDS-it në pronësi publike, kërkesë kjo e mbështetur edhe nga sindikatat.
Ata u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç e quajnë ata, “hajnija shumëvjeçare” dhe të rikthehet sektori i energjisë në shërbim të interesit publik.
Parashikimi i motit për ditën e nesërme
Dibrani: Të burgosurit nga Danimarka pritet të vendosen në G...
Blloku A5 jashtë funksionit nga mbrëmë, KEK thotë se pritet ...
Hiqen tabelat serbisht në Leposaviq, vendosen ato në gjuhën ...
Shitjet e Tesla-s kanë shënuar ‘rënie drastike’ në Norvegji
Prednizoni ul inflamacionin, por mund të përkeqësojë diabeti...