Protestat në data të rëndësishme, taktikë e opozitës?!

09:49 | 23 Janar 2016
M. A.

Partitë opozitare me caktimin e ditëve për protestë, në data të rëndësishme për vendin, po shihet më shumë si interesim për të treguar se mund të mbledhin mijëra njerëz në shesh, se sa si hap për ta detyruar Qeverinë të jap dorëheqje.

28 nëntori dhe tani 17 shkurti, janë përzgjedhur si data nga opozita për të protestuar në kërkim të dorëheqjes së Qeverisë dhe në mbrojtje të Kushtetutës.

Ismet Beqiri, sekretar në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe deputet i Kuvendit, tha se e drejta për të protestuar është demokratike, por e papranueshme mbetet dhuna e përdorur në protesta. Ai thotë se datat e rëndësishme për vendin nuk janë për të protestuar, por për të festuar. E gjithë këtë ai e sheh si lojë me ndjenjat e qytetarëve nga ana e opozitës.

 

“Mendoj që është një lojë me ndjenjat e qytetarëve. Është një lojë vërtetë e pakuptueshme, sepse 28 nëntori është ditë për të festuar dhe jo për të protestuar, sikurse që 17 shkurti është ditë për me festu. Sepse që nga ajo datë ne k emi shtetin e Kosovës. Këto data nuk do të duhej me i ngatërrua me aktivitete tjera. Sepse pastaj është qëllimi shumë i qartë, që tentojnë të përfitojnë sa më shumë në pjesëmarrje. Por kjo nuk do të thotë asgjë”, theksoi Beqiri.

Edhe analisti politik Ymer Mushkolaj, thotë se opozita po cakton data të tilla për të protestuar, me logjiken që të tregojë se në shesh mund të mbledh mijëra vetë, e jo të protestojë për të detyruar Qeverinë të jap dorëheqje. Ndërsa tha se është kundër kësaj mënyre, që protestat të bëhen në ditë të tilla të shënuara.

“Caktimi i datës për 17 shkurt, krijon përshtypjen, se më shumë është e interesuar të tregoj më shumë se mund të mbledh mijëra njerëz në shesh, se sa që në mënyrë të vazhdueshme të organizoj protesta në mënyrë që të detyrojë Qeverinë të jap dorëheqje”, tha Mushkolaj.

Nga ana tjetër, opozita thotë se arsyeja që kanë vendosur të protestojnë në tetë vjetorin e pavarësisë,është se edhe pas kaq vitesh qytetarët nuk po e shohin vendin e tyre ashtu siç e kanë dashur.

Fatmir Limaj, nga Nisma për Kosovën, tha se ata kanë vendosur që protesta të mbahet në tetë vjetorin e pavarësisë, për të çuar mesazh se qytetarët e Republikës së Kosovës tetë vjet pas pavarësisë janë të pakënaqur dhe atyre nuk iu janë realizuar pritjet që i kanë pasur.

 

“Ne si opozitë e bashkuar kemi vendos që më 17 shkurt, në ditën e pavarësisë së Republikës së Kosovës të ftojmë një protestë gjithë popullore, duke ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që më 17 shkurt në ora 14:00 në sheshin e Prishtinës të bashkohemi në mbrojtje të Republikës, në mbrojtje të kushtetutës dhe në kërkesën tonë dorëheqjen ë kësaj Qeverie, e cila është shkelëse e kushtetutës”, deklaroj Limaj.

Më 17 shkurt, përveç dorëheqjes së Qeverisë do të kundërshtohen edhe dy marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale