Propozimi për shtrenjtimin e rrymës kundërshtohet fuqishëm, paralajmërohet protestë masive

15:24 | 19 Mars 2025
A Z

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka propozuar një rritje prej 15% të çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga muaji prill.

Kjo rritje vjen pas kërkesave të tre kompanive të sektorit të energjisë në Kosovë – KOST, KEDS dhe KESCO, të cilat thonë se nevoja për shtrenjtimin e rrymës lidhet me kostot e larta të importit të energjisë elektrike.

Lidhur me këtë, Luan Hasanaj nga “Lets do it Kosova”, në një intervistë për Arbresh.info, ka folur për fushatën “Asnjë centë më shumë”, ku i ka ftuar qytetarët e Kosovës që të bashkohen për të kundërshtuar këtë propozim.

Ai ka vlerësuar se rritja e çmimit të rrymës në këtë kohë do të ndikojë në mirëqenien e qytetarëve, duke prekur më së shumti shtresat e varfra të shoqërisë.

 

“Arsyeja kryesore është vet mirëqenia e qytetarëve dhe secilit prej nesh, është e pamundur të jetosh në këtë vend dhe të përballesh çdo ditë me rritje të çmimeve në çdo sferë, dhe të shikosh që duke mos mjaftuar gjithë ato, të rritet edhe çmimi i energjisë elektrike dhe të qëndrosh indiferent, kështu që qëllimi kryesor i saj është pikërisht të kundërshtojmë një vendim që na prek secilin prej nesh, na ndikon në mirëqenien tonë, mos të flasim për shtresat më të varfra të shoqërisë të cilat edhe ashtu mezi ja dalin, duke iu rritur tarifat prej 15%, do të përcillen me rritje zingjirore të çmimeve të produkteve bazë dhe çdo produkti tjetër”, thotë ai.

Rritja e energjisë në këtë kohë, sipas tij, është e pamundur në krahasim me pagat që kanë qytetarët.

“Nëse ne këtë e krahasojmë me pagat e qytetarëve, me pagat e tyre, të ardhurat dhe gjendjen socio-ekonomike të tyre, rritja e çmimit në këtë kohë është pothuajse e pamundur, pasi do ta vështirësoj jetën e secilit prej nesh, në kohën që ne jemi tani, në stinën e pranverës dhe verës, ku konsumi i energjisë elektrike është më i vogël, logjikisht nuk ka nevojë për blerje gjatë kësaj periudhe”, shprehet ai.

 

Tutje, ai pohon përkundër rritjes së energjisë, askush nuk mund të garantojë se do ketë furnizim të pandërprerë me energji.

“Me këtë rritje nuk sigurohet një qëndrueshmëri elektrike, kush na garanton ne se pas kësaj ngritje do të kemi rrymë, ne jemi dëshmitarë jemi ballafaquar qoftë në fund vitin e kaluar, qoftë në këtë fillim të vitit me reduktime shumë të mëdha të energjisë elektrike, me gjitha këto blerje, ne përsëri kemi krizë energjetike, Rregullatori për energji elektrike nuk na ka thënë asgjë përveç që vendimi që ne po duam ta rritim çmimin, as nuk ka ofruar ndonjë plan, apo për përmirësimin të rrjetit, dhe si proces është jo transparent, ne do ta kundërshtojmë me të gjitha format e mundshme demokratike”, thekson ai.

Interesimi i  qytetarëve për një iniciativë të tillë, sipas tij, është mjaft i madh.

“Po sigurisht qytetarët janë shumë të shqetësuar lidhje me këtë që po pretendohet që po ndodhë, qytetarët i prek direkt, mjafton të krahasohen të hyrat që ata i marrin dhe nëse i shtohet mandej rritja, rritja e çmimit që prej energjisë, të gjitha produktet e konsumit ditor, atëherë imagjinojeni se në çfarë gjendje do të jetë shoqëria, ne e shohim një interesim shumë të madh të qytetarëve të kundërshtojnë këtë vendim në të gjitha format e mundshme, ne kemi krijuar një grup të vogël në Facebook, i cili tani i ka mbi 1,300 anëtarë, por nuk është që po merremi vetëm me të, ne po zhvillojmë takime dhe me të tjerë jashtë rrjeteve sociale, duke u munduar që sa më shumë  ta shpërndajmë informatën te qytetarët”, shprehet ai.

Hasanaj thotë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga krerët e institucioneve shtetërore.

“Nëse flasim për institucionet siç janë qeveria apo ministritë e linjës absolutisht jo, nuk kemi asnjë reagim, dihet sa ndikim ka Qeveria e Kosovës tek Zyra për Rregullatorin për Energji, pasi që bordi i asaj agjencie është përzgjedhur nga Kuvendi i Kosovës përmes procesit të rekrutimit nga qeveria, reagime ka pasur nga Oda Ekonomike e Kosovës, dhe organizatat e hotelerisë dhe gastronomëve”, thotë ai.

Nëse kundërshtimet e dërguara në tek ZRRE-ja nuk sjellin reflektim, ai paralajmëron organizim të një protestë masive.

“Tani më jemi në proces të dërgimit të kundërshtimeve tona tek ZRRE-ja, është afati ligjor deri më datën 28, pas dërgimit ne do të presim që të kemi ndonjë reflektim prej anës së tyre, dhe nëse jo atëherë hapi tjetër është organizimi i një protestë masive ku do t’i ftojmë të gjithë qytetarët të dalim dhe ta kundërshtojmë këtë vendim të dëmshëm”, përfundon ai.

Ndryshe, ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë./Arbresh.info/ Rita Jakupi/