Me ndryshim-plotësimet e një udhëzimi administrativ, të miratuara të mërkurën nga Qeveria e Kosovës, pronat e sekuestruara të biznesmenit serb nga veriu i Kosovës, Millan Radoiçiç, do t’i jepen në shfrytëzim Ministrisë së Brendshme të Kosovës, përkatësisht Policisë së Kosovës.
Radoiçiqin, Kosova e kërkon si të dyshuar për organizimin e sulmit të armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit, shtatorin e kaluar.
Në këtë sulm mbeti i vrarë një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serb.
Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.
Gjatë një aksioni në prill, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara e Kosovës sekuestroi dy prona të paluajtshme në Mitrovicën e Veriut, një restorant dhe një banesë, si dhe një vilë në komunën e Zubin Potokut – që të gjitha në pronësi të Radoiçiqit.
Duke folur në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se këto prona, aktualisht, janë nën menaxhim të ministrisë që udhëheq ajo, përkatësisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara të Kosovës.
Haxhiu tha se ndryshimet në udhëzimin administrativ janë të rëndësishme, sepse i eliminojnë procedurat e tejzgjatura për dhënien me qira të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, kur ato i kërkon një institucion publik ose organ shtetëror.
Haxhiu tha se pronat e sekuestruara të Radoiçiqit gjenden në lokacione me rëndësi strategjike.
Sipas saj, kalimi i tyre nën menaxhimin e institucioneve të sigurisë bëhet me qëllim të “rritjes së sigurisë shtetërore, territoriale dhe institucionale” në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.
Pas miratimit të ndryshim-plotësimeve të udhëzimit administrativ në Qeverinë e Kosovës, Haxhiu tha se institucionet e vendit do të vazhdojnë me procedurat e tjera./rel
Paralajmërimi i ambasadës së SHBA-së, MIA: S’ka informacione...
“Do ngremë kompaninë publike për naftën”, Rama: Do të futemi...
48-vjeçari shqiptar dënohet me 25 vjet burg për trafikim dro...
Oferta të ndryshme për Lewandowskin, ndër to edhe Barça
Furnizoi me naftë avionët amerikanë, Irani paralajmëron Bull...
Familjarët mbushin gjykatën në Greqi për tragjedinë e rëndë ...