Pronari i kompanisë ndërtuese të urës në Ibër: Krejt punishten e ka marrë uji, krim nga dora e njeriut

08:17 | 1 Nëntor 2025
E.K

Pronari i “Edi Company”, Jahir Nimani, kompania e të cilit po kryen punimet në vendpunishten që u përmbyt nga uji i lumit Ibër, ka deklaruar se ajo që ka ndodhur është një “krim” për të cilin, sipas tij, duhet të jepet llogari.

Ai tha se përmbytja ka shkaktuar dëme të mëdha në materiale dhe pajisje pune që ndodheshin në vendngjarje.

Sipas tij, për rritjen e nivelit të ujit është njoftuar nga djali, i cili çdo natë kontrollon situatën në vendpunishte.

Nimani shtoi se edhe Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje.

“Ky është krim dhe xhelozi ndaj punës që po bëhet për të mirën e popullit dhe të shtetit të Kosovës. Ky është krim shumë i madh. Krejt punishten e ka marrë komplet uji. Pikërisht një qëllim i caktuar që e ka lëshuar dorë e njeriut. Duhet me i bë thirrje edhe policisë edhe prokurorisë që ta hetojë rastin. Uji e ka marrë uji komplet punishten, me maqina me cdo send e ka marrë uji. Kemi punu deri në mbrëmje dhe po më thirr djali ‘hajde se e ka marrë uji’. Uji ka marrë çdo send. Uji dhe puna është në dorë të shtetit”, tha ai./Arbresh.info

Portali Arbresh.info ka tentuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës për këtë rast, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.