Prokuroria e Shtetit ankohet për UNMIK dhe EULEX

14:57 | 21 Shkurt 2019
M. A.

Prokuroria e Shtetit ka hartuar një strategji për trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës në Kosovë.

Prokurorja e Prokurorisë  Speciale të Kosovës, si dhe udhëheqësja e departamentit për krime në lufte në këtë prokurori, Drita Hajdari tha se që nga qershori i vitit 2018,  misioni i Eulex ka dorëzuar në këtë prokurori afro 900 lëndë të krimeve të luftës, si dhe janë transferuar afro 2000 lëndë për persona të zhdukur.

Hajdari tha se qysh në fillim të marrjes së këtyre lëndëve kanë hasur në probleme serioze.  Sipas saj, dy misionet ndërkombëtare, UNMIK dhe EULEX kanë dështuar në hetimin e lëndëve të krimeve të luftës dhe për këtë qenë e domosdoshme të bëhet një strategji, raporton arbresh.info.

“Bazuar në mungesën e progresit në fushën e  krimeve të luftës gjatë mandatit të Unmikut dhe Eulex-it, Kryeprokurori i Shtetit ka marrë iniciativë për formimin e një strategjie për hetimin e krimeve të luftës.

Gjendja aktuale e trashëguar në këtë fushë kërkon që të qasemi me një strategji. Qysh në fillim kemi hasur në një probleme serioze, u shpreh Hajdari.

Sipas saj, nuk dihet nëse Eulex kishte përdorur ndonjë strategji për hetimin e këtyre lëndëve, pasi pas dorëzimit të këtyre lëndëve tek vendorët nuk kanë paraqitur ndonjë strategji.

“Unë si udhëheqëse e departamentit për krime lufte kam kërkuar, mirëpo ka mbetur e paqartë nëse Eulexi gjatë mandatit të tij kishte aplikuar një strategji gjatë mandatit të tyre.  Nuk kanë ofruar asnjë ekspertizë, asgjë lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve.

Po të ishin ofruar strategjitë do të ishte më i lehtë hetimi i këtyre lëndëve.

Sipas saj edhe pas dy dekadave të fundit të luftës, prokuroria gjendet në një fazë fillestare.

“Strategjia parasheh që KPK ta formoj një task forcë ku përfshihen anëtar të KPK-së, Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës.  Kjo strategji parasheh që pesë prokuror të cilët do të merren ekskluzivisht me lëndët e krimeve të Luftës. Bashkëpunimin rajonal me shtetet në rajon, në veçanti me Serbinë pasi,  shumica e të dyshuarve për krime lufte gjenden në Serbi, ka thënë Hajdari.

Tutje prokurorja Hajdari tha se zyra e Kryeprokurorit të Shtetit sipas strategjisë do të publikoj raporte të rregullta për punën dhe hetimet e lëndëve të luftës.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se qëllim kryesor ka qenë trajtimi i lëndëve që kanë të bëjnë me krime të luftës.

“Qëllimi ka qenë që të kemi një strategji për trajtimin e lëndëve të krimeve të luftës. Krejt kjo pasi misionet ndërkombëtare, UNMIK dhe Eulex nuk kanë treguar rezultate sa i përket rasteve të krimeve të lutës.

Qëllimi ka qenë që të sjell  para drejtësisë ata qe kanë kryer krime lufte. Numri i policëve i hetues lër trajtimin e krimeve të luftës nuk ka qenë i madh. Deri tani kanë qenë 18 zyrtarë  policor” , u shpreh Lumezi.

Sipas tij, shumica e deklaratave dhe provave për këndet e luftës gjenden kështu Kosovës dhe për këtë nevojitet bashkëpunimi ndërkombëtar.

“Shumë deklarata dhe prova për krime lufte gjenden jashtë Kosovë dhe për këtë duhet bashkëpunim edhe me organizatat ndërkombëtare Interpol dhe Europol, pasi mund të na ndihmojnë rreth urdhër-arresteve ndërkombëtare”, tha Lumezi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale