Prokuroria angazhon psikiatër për të moshuarën që u rrah nga infermieret në Pejë

11:37 | 3 Nëntor 2022
A Z

Dorjan Juniku, njëri nga prokurorët e rastit për rrahjen e të moshuarës në Qendrën për të Moshuar “Orenda” në Pejë, tha se sot pritet të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tri punonjëseve të “Orenda-s”.

Juniku tha se sot kanë angazhuar një mjek psikiatër për të vlerësuar nëse e moshuara (viktima e dhunës), është në gjendje që të jap deklaratë.

“Sot e kemi angazhu një mjek psikiatër që fillimisht ai me vlerësu gjendjen e saj psiko-fizike, nëse e njëjta në këtë fazë është ne gjendje të jap deklaratë ose jo dhe varësisht prej konstatimit të mjekut do të veprojmë”, tha ai.

Tri punonjëset e arrestuarat dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi””, ka konfirmuar prokuroria.

Tutje, Prokuroria ka njoftuar se në këtë çështje ka angazhuar dy prokurorë të shtetit.

Pamjet çnjerëzore teksa rrahet e moshuara kanë tronditur vendin, por për këtë rast kanë raportuar edhe mediat e rajonit dhe ato botërore.

Gazeta britanike “Daily Mail” ka shpërndarë sulmin ndaj të moshuarës që ndodhi në shtëpinë “Orenda” në Pejë.

“Ky është momenti shokues kur një e moshuar në një shtëpi të pleqve në Kosovë goditet me shuplakë vazhdimisht nga një infermiere”, shkruan “Daily Mail”.

“Pak jam tu ja hi qysh di me sill unë, pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë infermierja Aurona Pelaj që e rrah me shuplaka e me shqelma të moshuarën në Pejë, teksa koleget e saj qeshin me zë të lartë./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale