Prodhuesit vendorë rrisin shitjen si rezultat i taksës

08:16 | 22 Shkurt 2019
M. A.

Vendosja e taksës 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina tek kompanitë vendore ka pasur efekt pozitiv duke shtuar kështu rritjen e shitjes së prodhimeve vendore.

Burim Piraj nga kompania vendore e njohur për produktet nga mishi i pulës dhe gjedhit “Meka” ka thënë se taksa ka pas efekt të fuqishëm të rritjes së patriotizmit ekonomik por edhe tek rritja e shitjes së prodhimeve të tyre.

“Ne kemi pas rritje të vazhduar të prodhimit gjatë vitit 2018 që ka arritur kuotën afërsisht 30%, mirëpo taksa ka pas efekt të fuqishëm të rritjes së patriotizmit ekonomik dhe ka pas ndikim edhe në rritjen e shitjes së prodhimeve të konservuara nga kompania jonë sidomos”, ka thënë Piraj.

Sipas tij vendosja e taksës ka bërë që konsumatorët t’i vlerësojnë më shumë prodhimet vendore.

“Është fakt që ne kemi teknologji të përsosur për të ofruar prodhime cilësore dhe të sigurta mirëpo është dashur të ndodh diçka që disa që me kokëfortësi i kanë nënvlerësuar prodhimet kosovare më në fund t’i provojnë. Çdo ditë kemi lëvdata nga konsumatorë të rinj edhe pse punojmë që nga viti 1992”, ka thënë ai.

Sali Selimaj, menaxher në ndërmarrjen për prodhimin e pijeve jo alkoolike “Frutex” ka thënë për arbresh.info se me vendosjen e taksës ka pasur rritje tek shitja e prodhimit madje tek të gjitha produktet.

“Shitja e prodhimit është rritur prej vendosjes së taksës. Kemi pasur rritje te të gjitha produktet”,  ka treguar Selimaj.

Ndërsa analisti i ekonomisë, Musa Limani ka thënë po ashtu se taksa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës ka pas efekt pozitiv tek bizneset vendore.

Ai për arbresh.info ka thënë se efekti i saj nuk është vërejtur jo vetëm në sferën ekonomike por edhe atë politike.

“Është për të konstatuar se vërja e taksës në produktet me prejardhje gjeografike nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina ka pas efektet e veta  jo vetëm ekonomike por edhe politike por kryesisht ekonomike dhe sipas të  dhënave që unë kam informata nga tereni që janë burimore ka ndikuar pozitivisht do të thotë bizneset vendore pas vënies së kësaj takse në funksion diku shitja e produkteve vendore është rritë 25% do të thotë se ka pas efekte pozitive”, ka thënë Limani.

Ai ka përmendur disa nga efektet pozitive që ka sjellë kjo taksë.

“Pos kësaj si efekt pozitiv i kësaj takse ka qenë ngritja ose vetëdijesimi i konsumatorëve se duhet të  konsumojnë produktet vendore jo ato të tjerat, veçmas të prodhimeve me prejardhje nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, po ashtu bizneset tona ka ndikuar pozitivisht që duhet të orientohen jo vetëm në degët shërbyese por duhet të orientohen edhe në prodhim prandaj kjo taksë ka pas anët e veta pozitive duke mos i numëruar edhe të tjerat ”, ka përfunduar ai.

Qeveria e Kosovës me 21 nëntor të viti të kaluar vendosi taksë 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina./arbresh.info/R.Rexhepi

Shpërndaje në rrjete sociale