Ndërmarrja “Ferronikeli”, dikur një nga shtyllat kryesore të industrisë dhe ekonomisë metalurgjike të Kosovës, kompania që eksportoi produkte me vlerë mbi 80 milionë euro vetëm në vitin 2020, sot përballet me një realitet të zymtë: prodhim zero, kontrata të ndërprera dhe pritje për kushte më të favorshme të tregut.
Dikur gjigant i industrisë, sot ndërmarrje që nuk prodhon. Privatizimi i Ferronikelit ishte konsideruar histori suksesi për transformimin ekonomik të Kosovës. Ndërmarrja u privatizua përmes një procesi të udhëhequr nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Në vitin 2008 monitorimi i saj i kaloi Agjencisë Kosovare për Privatizim. Dy dekada më vonë, prodhimi në këtë kompani është ndalur, ndërsa numri i punëtorëve është ulur dukshëm.
Për shkak të çmimit të ulët të nikelit në bursat ndërkombëtare dhe të çmimit të lartë të energjisë elektrike, në vitin 2023 Ferronikeli ndaloi prodhimin. Si rrjedhojë, nga viti i kaluar mbi 550 punëtorë u larguan nga puna. Aktualisht ndërmarrja ka 80 punëtorë.
“Arsyeja kryesore pse jemi në këtë gjendje është çmimi i ulët i nikelit në treg botëror dhe çmimi i lartë i rrymës. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të gjetur zgjidhje, ka qenë i domosdoshëm vendimi i fundit. Vendimi i fundit përfshiu ndërprerjen e kontratave për 358 punëtorë me kontrata të përhershme dhe 195 me kontrata njëvjeçare. Në total, janë 554 punëtorë, ndërsa duke llogaritur edhe 17 të tjerë të sigurimit, bëhen 571”, thotë Sejdi Moria, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Ferronikelit.
Pavarësisht gjendjes së rënduar, përpjekjet për ta mbajtur gjallë këtë gjigant nuk mungojnë. Ndërmarrja synon të investojë në panele solare dhe shpreson që me rritjen e çmimit të nikelit prodhimi të rikthehet.
“Janë të bindur se do të kthehemi fuqishëm. Prej momentit që ka nisur rritja e çmimit të nikelit dhe ulja e çmimit të rrymës, kjo na jep shpresë për rikthim në punë. Zotimi i tyre është që punëtorët e mëparshëm të Ferronikelit të jenë prioritet”, shton Morina.
Ndërmarrja, jozyrtarisht, po rishikon planet e prodhimit pas rritjes së çmimit të nikelit, por zyrtarisht nuk pranoi të japë më shumë informacione./RTK
19-vjeçari në Ferizaj kapet duke vozitur me shpejtësi 106 km...
Muriqi pranon çmimin ‘Lojtari i Muajit’
Më shumë ministri, më pak gra ministre në qeverinë e re
Mot i ndryshueshëm në pesë ditët e ardhshme, IHMK paralajmër...
Hoxhaj takohet me shefen e BE-së në Mynih, flasin për Kosovë...
Trepça vazhdon serinë e fitoreve, mposht Rahovecin 029